Kryeministri Edi Rama i ftuar sot në konferencën jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve doli për shtetin Bektashi. Ai tha se urdhri bektashi ka për qëllim për të dhënë fuqinë e një embleme që nuk do të përçajë askënd. Askush tha ai, nuk ka pse të trembet nga kjo ide.
“Bektashizmi erdhi me një mesazh që është rrëqethës për nga thjeshtësia e vet. Në shek. 15 apo 16 bektashinjtë u vendosën edhe në trojet tona, duke na sjellë edhe një mënyrë të re jetese. Për vetë bektashinjtë nuk kishte asnjë trajtim të veçantë dhe kur më pas teqetë u bënë shkollat shqipe.
Nëse sot ne flasim shqip dhe sot alfabeti ynë është latin, nuk është grek, nuk është sllav, por latin, kjo i detyrohet ndër të tjera në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit të shkrimit dhe këndimit të gjuhës.
Bektashinjtë njihen zyrtarisht falë përpjekjeve të kohëve të fundit të Baba Mondit ka një njohje edhe në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut, por Shqipëria e përcaktuar prej tyre, u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe mund të ishte zhdukur. Për shqiptarët ky është një testament kombëtar.
Është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashi, por edhe për myslimanët, edhe për katolikët edhe për ortodoksët, edhe për çdokënd tjetër pavarësisht se nuk beson në Zot, por që i thotë vetes shqiptar. Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër e motra nga një cep i globit dhe në tjetrin, bektashinjtë janë vetëm.
Nëse erdhën këtu 95-vjet më parë si jetim, të një perandori që i tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën, sepse do të ishte vrasja me duart tona të të gjithëve ne, e një vlerë shpirtërore që siç është brenda nesh sot, duhet t’i përcillet brezave në emër të një historie shqiptare.
Bektashizmi ka ndihmuar shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre dhe të shumtë janë studiuesit që theksojnë se roli i bektashizmit është roli i Gardianit të kulturës dhe gjuhës tonë në histori. Ndërsa Ismail Kadareja, shkruan se “bektashizmi ka qenë ura mes tokës dhe qiellit për shqiptarët, ka qenë vendi ku identiteti ynë kombëtar ka mbijetuar….
Historia e bektashinjve është thirrja imponuese për ti dhënë selisë së kryegjyshatës botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme që nuk do të përçajë askënd.
Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal, Komunitetet e tjera fetare nuk kanë arsye të shqetësohen, është trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur, ne e kemi dhe jemi gati ta lëmë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë më shumë dritë”, tha mes të tjerash Rama.