E ftuar të votojë në 11 majin e këtij viti, diaspora shqiptare befas e ndjeu veten të rëndësishme.
Ka disa ditë që për të dhe rolin e saj diskutohet në parlamentin shqiptar, përplasen partitë politike lëshohen mallkime e përkëdhelje, ashtu si nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe, kaq zjarr, nuk do të ketë as në të ardhmen. Joshja është e habitshme. Karremi është hedhur.
E çuditshme është se ajo, edhe një herë, nuk do të jetë subjekt i politikës, por objekt i saj. Pra, si të thuash, duan të mjelin prej saj, pa i bërë vend në grazhdin e politikës. Ndoshta është më mirë kështu, por, me siguri që e gjitha do të jetë një farsë në jetën e diasporës, që, pas gjithë këtij vrulli lakmitar dhe përkëdhelës, do të jetë, si edhe më parë, e njëjta si ka qenë deri tani. Me hallet e saj, të cilat shteti shqiptar nuk ia zgjidh dot, me familjet në Shqipëri që presin prej saj, dhe ku rënia e fuqisë blerëse përmes monedhës Euro ka rënduar mirësinë e saj, sepse i ka rënë vlera, dhe ku, mbi të gjitha, përkdheljet e tanishme do të jenë përsëri të përkohshme, në pritje të një fushate tjetër zgjedhore.
Të dy partitë e mëdha politike, ajo në qeverisje dhe tjetra në opozitë, kanë ngjallur besimin se vota e diasporës do të pëmbysë një qeveri ose do e mbajë edhe më tej në këmbë atë. Duke e ditur se Opozita tani ka shkuar edhe më tej: të votojnë edhe ata që nuk kanë asnjë dokument shqiptar, që mund të keni tani nënshtetësi tjetër, si një “ çështje lufte “ në miratimin e ndryshimeve të fundit në kodin zgjedhor, që bëhet copash sa herë që futin duart dy partitë e mëdha. Ndryshe, theksoi edhe drejtuesi i opozitës, ndryshimet ligjre nuk do të miratohen dhe diaspora nuk do të jetë më e përkdhelura e çastit. Në fakt, kjo e fundit, është dëshira e fshehtë e tij.
Ka disa shkaqe përse opozita kërkon të hedhë në erë gjithë projektin e ngritur për votimin e diasporës.
Së pari, ajo e di mirëfilli se mes saj dhe shumicës qeveritare, zgjedhja e shqiptarëve të larguar nga Shqipëria do të jetë për këtë të fundit. Sondazhet e institucioneve serioze ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë , sidomos tani, në muajt e fundit parazgjedhor, kanë risi të befasishme. Më shumë se 60 për qind e diasporës do të jetë për shumicën qeverisëse. Në dy shtete të rëndësishme , ku është përqëndruar diaspora shqiptare, në Greqi dhe në Itali , kjo përkrahje do të jetë edhe më e lartë. Më pak do të jetë në SHBA dhe e barazpeshuar në Kanada, ndërsa në shtetet e tjera evropiane , përkrahja ndaj së majtës, me gjithë ndryshimet tronditëse që po ndodhin në skenën politike të saj, do të jetë mbi 50 përqind.
Opozita e di këtë. Ajo ka organizuar sondazhet dhe ka studimet e saj të qarta, që i dëshmojnë se vlera, apo më saktë, pritshmëria e votimit masiv të diasporës në përkrahje të saj, është tepër larg pritshmërisë dhe, në fund të fundit, në mos në deputetë, do të trondisë në përqindje besimin ndaj saj.
Së dyti, muajt që kanë mbetur janë të pakët për opozitën për të vendosur drejtpeshimin e saj. Prej shumë kohe ajo e ka humbur këtë lidhje , që, edhe ashtu, në 12 vite, më e shumta ka qenë nga denoncimet e vendimeve arbitrare tëp qeverisë, se sa në përkrahjen e diasporës. Edhe në rastet e pakta, kur pjesë të diasporës janë thirrur në grupet sulmuese të saj, si ndodhi në sulmin e janarit mbi godinën kryesore të opozitës, ata kanë ndikuar që drejtuesi i saj të shpallet në shtetin britanik si njeri i padëshiruar, të humbasë gjyqet, e bashkë me to, sipas mediave të njohura, edhe 600 mijë euro, për të cilat ende askush nuk e di se nga e kanë burimin.
Përkrahja e opozitës në diasporë është e rallë në mjedise intelektuale apo botë formuese. Më tepër në figura të njohura për lidhje të dyshimta, që bëjnë pjesë në grupe , ndaj të cilave janë të interesuara shërbime inteligjente të shteteve ku jetojnë, apo, edhe më tej, pjesë e largimit nga shteti amë jo si njerëz në kërkim të një jete ndryshe, por të përfitimit dhe krijimit të grupeve që bëhen strukturë e përfitimeve të paligjshme.
Ka një dallim të madh mes qarjeve të opozitës dhe ndjenjës së trimfit të shumicës në qeverisje.
E para e di se ka hedhur në hap të gabuar në gjetjen e një kauze që, duke mos qenë e gabuar, është e nxituar dhe e pa llogaritur mirë prej saj. Ajo ka shkuar me mendimin se , ata që janë larguar në vitet e fundit janë kundërshtarë të qeverisë aktuale, ndaj, me siguri do të votojnë opozitën. Kjo hamendje fëmijërore dhe naive në thelbin e saj, lë mënjanë faktin se , ata që kanë ikur në vitet e fundit, përgjithësisht kanë shkuar përmes një rruge që vetë opozita e ka hapur, me pasaporta të rregullta, të punësuar, nga një vend që nuk është më problemi i ndërkombëtarëve, si ndodhitë e vitit 1997, ku protestuesit nuk vriten në rrugë, si në 21 janar, apo nuk hidhen në erë si në Gërdec. Ata janë larguar , në shumë raste, me viza pune, jo përmes Kanalit të Otrantos, me skafet e krimit dhe të vdekjes.
Nëse dhjetë apo shumë vite më parë, këto mërgimtarë do të iknin në vendet europiane , duke treguar kombësinë e tyre, shumë prej të larguarve do të shiheshin si banditë, të uritur, të lënë në mëshirën e fatit, pjesë e bandave të armatosura. Do të ishin të nënshtruar nga fati keq që ndillte kombi i vendit të tyre.
Tani largohen nga një vend që prej në një vit mbi 11,2 milion turistë, disa prej të cilëve janë ata vetë, nga një vend për të cilin shumë duan të dinë, dhe ata, më shumë se çdo shqiptar që jeton në vendin e tij, e ndjejnë këtë ndryshim fantastik.
Një shqiptar që jeton në mërgim, qoftë edhe prej pak viteve mëson se një njeri në gjendjen e tij të natyrshme është krijesë e arsyeshme, e cila respekton gjithnjë ligjet, qofshin edhe ligjet morale. Duke qenë më larg , ajo, dispora, është edhe më e qetë në trajtimin e ngjarjeve, qëndrimeve dhe përcaktimeve politike. Mllefi, me të cilin mendon opozita se ata janë larguar nga Shqipëria, edhe kur ka qenë i pranishëm, tashmë ka imponimin e ligjit në vendin ku jeton, dhe i duket e habitshme se si ish kreu i shtetit apo i qeverisë, edhe një thirrje të zakonshme nga sistemi i drejtësisë e trajton si krim, dhe vetë sistemin si strukturë kriminale.
Nganjëherë opozita është aq naive, sa që largimin nga Shqipëria e trajton si revoltë ndaj qeverisjes dhe pret me lugë në brez të ulet në një tryezë nga e cila mbahet larg prej 12 viteve.
Së treti, e majta në pushtet, skandalet e së cilës mund të kishin përmbysur çdo qeveri, lojën me diasporën e njeh më mirë se sa opozita. Ajo është qeveria e së sotmes dhe, si çdo e tillë, ka lidhje, edhe institucionale me ata që jetojnë jashtë vendit. Ajo ka ambasadat, konsullatat, të dërguarit, dhe, në fund të fundit, ajo e ka njohur si mundësi reale shumë më herët. Pa folur ër forcën financiare të saj.
Jo rastësisht shefi i qeverisë, që është në të njëjtën kohë edhe drejtuesi i shumicës qeverisëse, ka deleguar në disporë një njeri të njohur si grumbullues votash: Taulant Ballën.
Opozita, nga ana e saj ka deleguar një figurë të njohur politikisht, por në të njëjtën kohë edhe të mënjanuar politikisht, Jozefina Topallin. I pari, ka qenë gjithnjë aty ku është sot, me të mirat dhe mangësitë e tij, por, kudo që ka qenë drejtues, ka fituar zgjedhjet.
E dyta, sapo e mënjanuan nga lista e deputetëve, bëri sprovën e saj ,duke krijuar në partizë të vogël politike, në shumë mundësi me ndihmën e qeverisë, ku kishte edhe dështimin e saj të madh. Nuk u votua, dhe kjo tregoi se ajo, edhe kur ishte votuar, votat e saj kishin qenë nga forca politike dhe jo nga përsonaliteti politik vetjak.
I pari e merr seriozisht punën e tij, është ende vital dhe e di se ky është një shans i artë për të dëshmuar se makineria e tij e votave nuk ndryshon nga vendi ku caktohet si drejtues politik.
Topalli është e lodhur nga mungesa e gjatë, mosha dhe harresa ka bërë punën e saj, besnikëria e tanishme ndaj opozitës është e vonuar dhe jo gjithëherë me përkrahjen e duhur..Ditën që doktrina e opozitës pushoi së përputhuri me interesat e saj, zbuloi se qëndresa kishte qenë e stisur dhe jo e vërtetë.
Mes Ballës dhe Topallit ka pasur dikur një përplasje të njohur. Ka qenë lejtmotiv i mentalitetit qeverisës thënia e Topallit, si kryetare e Kuvendit, ndaj deputetit Balla të opozitës. “ Merreni prej zhelesh e nxirreni jashtë”, pat thënë ajo dikur. Tani janë përballë. Është krejt e mundur që Balla ta “marrë prej zhelesh dhe ta nxjerrë jashtë” , përfundimisht, nga politika zonjën Totalli. Sepse hendeku mes tyre do të jetë shumë më i madh se sa mendohet.
Nëse opozita do e lërë gjithçka në dorën e saj, atëherë të mos ankohet nga zhgënjimi i nesërm. Berisha mund t’ i kuptojë gjërat po të dojë. Topalli do të dëshironte t’i kuptonte po të mundte. Ajo është ende aq naive sa që beson se vetë largimi i njerëzve nga Shqipëria është i mjaftueshëm për të qenë kundër qeverisë.