Verifikimi i emigrantëve që mbërritën mëngjesin e së martës në portin e Shëngjinit përfundoi pas një procedurë 13-orëshe. Nga 49 emigrantët, 5 prej tyre do të kthehen në Itali pasi rezultuan minorenë ose me probleme shëndetësore, ndërsa 44 të tjerët u dërguan në kampin e Gjadrit. Emigrantët janë nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Transporti i emigrantëve u bë nën masa të rrepta sigurie, me mbikëqyrjen e Policisë Shqiptare dhe Karabinierëve italianë. Ata do të presin vendimin e Gjykatës së Romës për vlefshmërinë e mbajtjes së tyre në Shqipëri dhe një përgjigje për kërkesën e tyre për azil.
Kjo është pjesë e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila u pezullua për dy muaj pas vendimeve të gjykatave italiane, por tashmë po vijon me një dekret të miratuar nga qeveria italiane dhe që mbështetet nga Gjykata e Kasacionit. Fjalën e fundit për këtë çështje pritet ta ketë Gjykata Europiane e Drejtësisë në 25 shkurt.