Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas urdhrit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për pezullimin e fondeve amerikane për programet zhvillimore dhe ndihmën ndërkombëtare për 90 ditë. Ky pezullim është vendosur në pritje të një rishikimi nga administrata e re.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së thekson se do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri, një proces që ka nisur që prej vitit 2016. BE-ja ka ofruar mbi 50 milionë euro për mbështetje teknike dhe financiare, përfshirë ndihmë për ndërtimin e institucioneve të drejtësisë, dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë reformë për të garantuar pavarësinë e institucioneve, si SPAK.
Reagimi i Delegacionit të BE në Shqipëri:
• Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
-
BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
-
Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
-
Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
-
Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
-
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”