Debat në Kuvend. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i kërkoi llogari ministrit Ervin Hoxha pse nuk u proceduan drejtorët dhe punonjësit e bashkisë së Tiranës që dje bllokuan rrugën tek SPAK-u teksa po jepej masa për Erion Veliajn.
“Një turmë individësh punonjës të bashkisë së Tiranës kanë pushtuar ambientet e jashtme të GJKKO-së dhe SPAK-ut dhe nuk ka pasur asnjë prezencë të punonjësve të policisë për të shpërndarë një grumbullim të paligjshëm.
Drejtorët e bashkisë së Tiranës urdhëronin punonjësit që të dilnin në protestë në mbështetje të një personi të akuzuar për korrupsion, jo vetëm që nuk ka pasur një shpërndarje të këtij tubimi, asnjë punonjës të policisë por është penguar për minuta të tëra që dërgohej i akuzuari për korrupsion në paraburgim dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të policisë së shtetit.
Policia dje ka lejuar një tubim të paligjshëm dhe nuk kemi dëgjuar që policia të nisë një procedim penal për drejtorët batakçi, që t’i procedojë që dje bllokuan rrugët dhe të japë llogari ku ishte policia e shtetit” tha ai.
Ministri Hoxha e pranoi faktin se rruga u bllokua, por tha se nuk i proceduan, ndryshe nga sa kanë vepruar me rastet e Sali Berishës.
“Dje menjëherë simpatizantë dhe dashamirës të bashkisë janë grumbulluar për të mbështetur kryetarin e bashkisë, nuk kemi të bëjmë me tubim apo protestim të lajmëruar më parë. Jemi në kushtet ku këta simpatizantë dëshironin që të ishin prezentë në dhënien e vendimit. Forcat e policisë janë afruar.
Është e vërtetë që është bërë disa minuta bllokimi i rrugës por nuk është e vërtetë që policia braktisi detyrën. Por grumbullimi i ishte i menjëhershëm, njerëzit erdhën papritur. Dje nuk ka pasur asnjë incident” tha ai.