Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, në rastin e protestës së organizuar nga mbështetësit e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, para godinës së saj, teksa brenda zhvillohej seanca për vlerësimin e masave të sigurisë.
“Përveç sa më sipër, institucioneve të sipërcituara, ju është bërë me dije një tjetër fakt i rëndësishëm mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.
Pavarësisht fakteve të mësipërme, si dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin “Për policinë e shtetit”, nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetë dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ.
Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykatat e Posaçme dhe SPAK, të cilave ju ofrohet mbrojtje e posaçme, jo vetëm nga ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, por dhe nga ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Protesta pro Veliajt/ SPAK dhe Gjykata i kërkojnë llogari policisë: Pse nuk morët masa?