Shumë analistë në Perëndim po e krahasojnë dorëzimin e Trump-it para Putinit si dorëzimi që bënë para Hitlerit në Munih dyshja anglo-franceze Chamberleni me Daladierin. Asokohe, demokracitë perëndimore sakrifikuan te Hitleri pjesë të territorit çekosllovak (krahinën e Sudetëve) me besimin naiv se bisha naziste do kënaqej me aq, dhe nuk do të sulmonte pjesë të tjera të kontinentit europian.
Kjo analogji bëhet sot nga disa analistë në momentin kur Tramp po tregohet i gatshëm të firmosë kalimin te Rusia të gati 20% te territorit ukranias me besimin naiv dhe ai, se Putin do të kenaqet me kaq. Personalisht, ngjashmërinë e shoh më shumë me Jaltën në shkurt 1945 se me Mynihun më 1938. Kjo pasi, Trump nuk po hyn në marrëveshje me Putinin nga frika se Rusia mund të sulmojë Amerikën siç kishin frikë për veten e tyre Anglia dhe Franca kur hynë në negociata me Hitlerin në Mynih.
Rusia aleat i mundshëm i SHBA-ve në përballjen me Kinën?
Trump po hyn në marrëveshje me Rusinë për një “ndarje të re të punëve” në glob. Amerika kërkon tani të merret me Azinë dhe me Kinën në veçanti. Në këtë “new game” më e pakta që Trump shpreson nga Putini është që ky t’ja lehtësojë Amerikës barrën në Europë duke e mbyllur sa më shpejt dosjen ukrainase, dhe më e shumta, është shpresa që ka Trump për një përmbysje aleancash për një aks të përbashkët ruso-amerikan kundër Kinës.
Ideja që Trump i sugjeron Putinit, është se problem në të ardhmen për Rusinë është Amerika por Kina, sepse kësaj i mungojnë në territorin e saj lëndët e para për zhvillimin ekonomik te saj. Për biznesmenin Trump, luftrat e ardhshme nuk mund të jenë më si ato të shkuarat, mbi baza ideologjike, por ekonomike. Konfliktit s’do të jenë më midis demokracive dhe regjimeve autoritare, por mes atyre vendeve të cilat do të konfliktohen për përvetësimin e lëndeve të para, ose të materieve kritike siç quhen sot gjeopolitikisht.
Për një popull, mendon Trump, ka më pak rëndësi e drejta ndërkombëtare, se sa e drejta për mbijetesë apo për një jetesë më të mirë ekonomike. Dhe Trump ia dha vetë i pari shembullin Putinit se është i gatshëm në një konsideratë tmerrësisht ekonomike sipas ligjit të xhunglës se më i forti mbijeton të cënojë dhe vende të tjera demokratike si Danimarka apo Kanadaja pa pyetur se i ka aleatë ideologjikë.
Nga ky këndvështrim, shpreson Trump, Rusia mund të kthehet në aleate faktike e Shba-ve sepse është Kina që ka mungesë të theksuar lëndësh të para të cilat mund t’i gjejë me bollëk vetëm ne Siberinë fqinje pra duke sulmuar një ditë Rusine paçka se ideologjia i bashkon.
Si përkthehet Jalta sot?
Me këtë arysetim vimë logjikisht tek Jalta e 1945-ës ku dy fuqi antagoniste ideologjike gjetën një terren bashkëpunimi surrealist për epokën. U zhvillua në Jalta, një provincë bregdetare sovjetike një negociatë e hollë për ndarjen e Europës, por mos thënë e botës midis Ruzveltit dhe Stalinit, pikërisht ajo që rrezikon të ndodhë tani midis Trumpit dhe Putinit.
Në Jalta u konfirmua marrëveshja sekrete e Moskës e tetorit 1944, ku Stalini dhe Curçilli ndanë brenda një nate me puro dhe whisky kontinentin europian me një laps xhepi kuq e blu. Me ngjyrë blu shtetet që do të mbeteshin në kampin anglo-amerikan dhe në të kuq shtetet që do të kalonin në kampin sovjetik. Ajo marreveshje sekrete u konfirmua më pas publikisht në Jalta nga dy superfuqitë, pa pyetur asnjë nga popujt europianë fatet e të cileve luheshin me një të rënë të lapsit.
Drejt shpërbërjes së një pjesë e NATO-s?
Sot, Rusia nuk po hyn në negociata me SHBA-të vetëm për Ukrainën. Është shumë më e gjerë se kaq, pasi sa për Ukrainën Moska konsideron se e ka në xhep duan apo s’duan amerikanët, ashtu siç e kishte Moska në xhep Berlinin lindor më 1945, donin apo s’donin amerikanët. Sot Putin me negociata që kanë filluar në Riad të Arabisë Saudite kërkon një Jaltë të re dhe me radikale se ç’është i gatshëm të japë Trump.
Putin kërkon që amerikanët të nxjerrin nga NATO një pjesë të madhe të vendeve të Europës lindore. Nuk e dimë nësë Shqipëria bën pjesë në listën e nxjerrjes nga NATO që Lavrov po u paraqet negociatorëve të Trampit (ajo figuronte në listën që ju paraqit Biden-it nga Rusia në negociatat në Gjenevë më 2021), por çeshtja nuk është më vetëm tek Ukraina!
Rusia hyn në negociata me Trump për një shkrirje komplet të sistemit të ri të sigurisë që u vendos në Europë pas rënies së murit të Berlinit me futjen e njëpasnjëshme në NATO-s të vendeve të Europës lindore. Pazari i Putinit me Trump duket në këto terma: nëse Amerika dëshiron vërtetë të mos ketë shumë probleme me Kinën e ndihmuar nga Rusia në Azi, atëherë Amerika t’i lejojë Rusisë që dhe kjo mos të ketë shumë probleme me NATO në kufijtë e saj.
Prandaj sot Europa është në gjendje paniku, që nga Estonia e vogël e deri te Britania e Madhe duke kaluar nga Franca dhe Gjermania. Po ra Ukraina, bien si domino vendet e NATO-s në kufi me të, dhe më pas mund të bjerë e gjithë pjesa tjetër që mbetet nga Aleanca Atlantike.
Pikërisht në marrëveshjen që po negociohet USA-Rusi nuk parashikohet një garanci amerikane në kuadrin e NATO në dosjen ukrainase gjë që hap kutinë e pandorës për një mos garanci të SHBA-ve në NATO-s dhe për pjesë të tjera të Europës në konflikt të ardhshëm me Rusinë.
Dështimi i Samitit urgjent të Parisit
Për t’i paraprirë kësaj perspektive të tmerrshme për europianët që po asistojne në një ndarje të re të botës Shba-Rusi në kurriz të Europës, presidenti francez thirri dje urgjent në Paris një mini-samit informal, pra jo zyrtar, për vetëm disa vende “bazë” të BE-së plus Britania e Madhe. Pyetja e shtruar në samit qe e thjeshte: nëse na braktis Trump në Ukrainë dhe më gjerë, çfarë do të bëjmë ne europianët?
Pyetje që mbeti pa përgjigje për shkak në një mase të madhe të mos angazhimit të dy vendeve nga më të rëndësishmet të BE-së. Gjermania fillimisht, e kryesuar nga një Sholz që s’mund të merrte dje në Paris asnjë angazhim kur i mbeten vetëm pak ditë në pushtet.
Mos angazhimit të Gjermanisë i shtohet dhe tradhtia e Italisë për shkak te Melonit, mikeshë e deklaruar e Tramp-it dhe Musk-ut e cila po kthehet në një kal troje brënda BE-së ashtu si Hungaria dhe Çekia. Meloni shokoi dje kur e cilësoi samitin e Parisit si jo legjitim dhe si përçarës meqënëse në të nuk ishin ftuar të 27 vendet e BE-së.
Por pikerisht, për të evituar përçarjen, ftesa e Makronit nuk ju bë të 27-ve por vetëm 7 vendeve të BE-së në menyrë që të evitohej t’i jepej fjala miqve të Rusisë si Orbani apo Fico. Samiti i djeshëm në Paris dështoi kështu për të krijuar një bllok ushtarak europian, gjë e çoi sot Kryeministrin francez të bëjë një nga deklaratat më pesimiste dhe më të frikshme të një europiano-perëndimor në dekadat e fundit, duke u shprehur kështu:
“Për herë të parë që nga viti 1945, lufta mund të ndodhë në tokën evropiane, kudo përreth nesh. Jemi në një kontekst të viteve 1930 me ajsbergë që mbërrijnë para nesh dhe takimi i Parisit në Elize nuk bëri të mundur mbajtjen larg të këtyre ajsbergëve. Ne jemi sot të gjithë dëshmitarë të një aleance të paimagjinueshme midis Putinit dhe Trumpit që duan të margjinalizojnë Evropën bash në tokën e saj”.
Kur fuqia e vetme bërthamore e BE-së bën një konstatim të tillë kaq pesimist, duhet besuar jo vetëm se e thotë shteti më pak i rrezikuar se çdo shtet tjetër në Europë, por se e thotë një shtet si Franca me përvojën më të gjatë të luftrave më shkatërrimtare në Europë.
Po Shqiptarët nga ana e tyre çfarë rrezikojnë? Ata rrezikojnë që në kërkesat që do vërë Putin në “Jaltën” e re me Trump, Rusia mos të shtojë dhe tekat e motrës së saj të vogël sllave, ato të Serbisë për Kosovën.