Zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të martën në Arabinë Saudite për diskutime mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimi zgjati më shumë se 4 orë e gjysmë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se Sekretari Rubio dhe ministri Lavrov kishin rënë dakord për të ngritur ekipe të nivelit të lartë, për të shtruar udhën që lufta në Ukrainë të marrë fund, sa më parë të jetë e mundur.
“Një bisedë telefonike e pasuar nga një takim nuk është e mjaftueshme për të vendosur paqe afatgjatë”, tha zëdhënësi Tammy Bruce pas takimit në Arabinë Saudite.
Zëdhënësi Bruce tha se në bisedime, Sekretari Rubio dhe homologu i tij rus kishin rënë dakord për të vendosur një makanizëm konsultues për të trajtuar çështjet që krijojnë “shqetësim” në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi negociatorin rus Yuri Ushakov të ishte shprehur se bisedimet kishin shkuar mirë dhe se ishin diskutuar kushtet për një takim mes Presidentëve Trump dhe Putin.
Delegacioni i Shteteve të Bashkuara u kryesua nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa përfshinte gjithashtu Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe të Dërguarin për Lindjen e Mesme, Steve Wikoff.
Delegacioni rus përfshinte ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakovin, ndihmës i lartë i udhëheqësit Vladimir Putin.
Udhëheqësit e Ukrainës deklaruan se nuk ishin ftuar të merrnin pjesë në bisedime. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të presë të mërkurën për bisedime të Dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, Keith Kellogg.
Angazhimi SHBA-Rusi nxiti shqetësim mes udhëheqësve europianë të cilët në ditët e fundit kanë nënvizuar rëndësinë për përfshirjen e Ukrainës në disktuimet mbi të ardhmen e saj, dhe që vendet europiane të luajnë rol në atë që e cilësojnë si një zhvillim kyç për sigurinë e tyre.
Presidenti francez Emmanuel Macron mblodhi të hënën një grup udhëheqësish evropianë për diskutime mbi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjesn dhe garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën.
Pati qëndrime të ndara mbi idenë për vendosjen e paqeruajtësve në Ukrainë si pjesë e angazhimeve në rast të përfundimit të luftës.
Britania dhe Suedia u shprehën të hapura ndaj kësaj ideje, ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz tha se diskutimi ishte i parakohshëm.
“Ne kërkojmë paqe të fortë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Për ta arritur këtë, Rusia duhet t’i japë fund agresionit të saj dhe kjo duhet të shoqërohet me garanci të forta dhe të besueshme sigurie për ukrainasit”, tha Presidenti Macron në rrjetin X.
Udhëheqësi francez tha se kishte folur me Presidentët Trump dhe Zelenskyy pas bisedimeve në Paris dhe se është e rëndësishme që evropianët, amerikanët dhe ukrainasit të punojnë së bashku.
Presidenti Zelenskyy shprehu nevojën për garanci “të fuqishme dhe të besueshme” të sigurisë, duke thënë se përndryshe Rusia do të nisë një luftë tjetër me Ukrainën ose vende të tjera në Evropë./VOA