Ditën e djeshme një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Bicaj të Kukësit. Sebastian Muçmata, që dyshohet se plagosi Elvis Halilajn, ka dëshmuar se konflikti nisi për shkak të detyrës së vëllait.
Sebastian Muçmata akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Në dëshminë e tij ai ka thënë që ka shkuar për tu sqaruar por vëllai i të plagosurit Elvisit i ka drejtur armën babit të tij dhe në atë moment ka marrë armën e zjarrit pistoletë dhe ka gjuajtur në drejtim të tyre.
“Me faktin dhe akuzën u njoha dhe për sa më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar, aty Qerimi (vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëherë te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për t’i vrarë unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë, kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllanë tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë.
Ky konflikt ka filluar për shkak të detyrës së Zenel Muçmatës, i cili punon në Bashki në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Elvis Halilaj pretendon se ka ndikuar ose ka ndërhyrë drejtpërdrejtë për largimin nga puna të Elvis Halilajt.”, ka dëshmuar Sebastian Muçmata.