Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet në vend lidhur me ndihmën për qytetarët dhe reformat në sektorë të ndryshëm, gjatë një pyetje-përgjigjeje në rrjetet sociale. Ai ka shpjeguar disa nga sfidat dhe progreset në fushat e pensioneve, ndërtimit dhe furnizimit me ujë.
“Ka plot shqiptarë që kthehen. E keni parë që ju del llogaria më mirë sdomos kur kursimet e tyre andej i investojnë këtej për një fermë, agroturizëm.
Pensionet europiane nuk bëhen aq kollaj si në komente. Cdokush thotë do pension europian në Shqipëri por sigurimet i ka bërë në Greqi dhe nuk është e mundur pa mbyllur marrëveshjet e pensioneve me Greqinë siç e mbyllëm me Italinë. Por kur erdhëm në detyrë nuk kishte fare marrëveshje, por Shqipëria nuk kishte fytyrë të ulej si e barabartë në tavolinë.”
Rama theksoi se, përveç dokumenteve që lidhen me ndërtimet, të cilat i quajti “peshqesh nga këneta”, të gjithë dokumentet e tjera mund të merren përmes celularit.
“Në këtë vend është më kollaj për të marrë dokumente sepse i merr me celularë, ndërsa për ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve e tënde i kemi peshqesh nga këneta që e ka bërë vendin lesh e lish dhe kjo po vihet në vend. Brenda kohës së negociatave me BE do ta mbyllim këtë gjë. Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem. “
Rama vazhdoi duke diskutuar mbi furnizimin me ujë në Tiranë, duke theksuar se kur erdhi në pushtet, asnjë zonë nuk kishte ujë 24 orë. Ai shtoi se tani po vazhdojnë investimet për përmirësimin e furnizimit me ujë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
“ Tirana ka 24 orë ujë në 67 % të territorit, ndërkohë vijojnë investimet dhe në tërë Shqipërinë. Nuk ka pasur ujë 24 orë as në komunizëm. Kur morëm detyrën, në asnjë zonë nuk kishte 24 orë ujë.
Në turizëm dhe ndërtim del më mirë hesapi për të punuar këtu sesa atje. Do të prezantojmë edhe portalin e vendeve të punës aty ku shqiptarët e Europës kanë zemrën.”