Një 17-vjeçar është arrestuar në lidhje me atentatin që ndodhi të shtunën në mbrëmje në Kamzë. Policia njoftoi se i riu dyshohet se është personi që drejtonte makinën nga e cila u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës tjetër. Nga hetimet, po ashtu dyshohet se 17-vjeçari, i nxitur nga disa persona të tjerë të përfshirë në këtë rast për të pranuar autorësinë e rastit ka dhënë deklaratë të rreme.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 22.02.2025, në Kamëz, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga një shtetas 17 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt””, njoftoi policia.