Mbas disa deklaratash pozitive, i inkurajuar me të drejtë nga përparimi në procesin e anëtarësimit tonë me çeljen e tri grup kapitujve, Kryeministri Rama ditët e fundit ka shtuar sërish dozat kritike dhe qortimeve të ashpra ndaj BE-së. Kështu, këtë javë, në takime zonale me socialistë të Tiranës, ai pohoi për herë të parë se hyrjen në BE e kërkon si “ hakmarrje për poshtërsitë e Europës në 100 vitet e fundit”!
I çuditshëm ky pohim kur dihet se “ pseja” strategjike e anëtarësimit tonë në BE u bë e njohur publikisht në Dhjetor 1990 me kushtrimin plebishitar “E duam Shqipërinë si Europa”; dhe kjo, si ideali më madhor, si përqafim i mentalitetit, jetesës, mirëqenies, begatisë dhe demokracisë liberale europiane!
Autori i këtyre radhëve ka patur shansin të merret për dekada si diplomat me dosjen Europiane në Tiranë, Berlin, Bruksel dhe gjetkë. Disa muaj me parë promovova dhe librin “ Negociatat, sfida e fundit e integrimit” ku shtjellohet me hollësi procesi ynë i negociatave të anëtarësimit në BE. Po, mund të flitet, siç dhe po bëhet me të drejtë për probleme, vështirësi, hezitime dhe pengesa të përkohshme nga vende të BE-së, çka gjithsesi është në të drejtën e tyre; por poshtërsi dhe shpërfillje europiane, ca më pak ndaj nesh, kursesi dhe askund.
Le ta fillojmë këtë oponencë dashamirëse dhe profesioniste me një kritikë të vesit propagandistik qeveritar që krahasimet t’i bëjë me vitin 1912 apo 1924, vitet më të vështira dhe më të dobta të vendit tonë. E çuditshme se këto baza të largëta krahasimi nuk i bënte as propaganda e zellshme komuniste, sepse nuk do të “ngjitnin”.
Siç e kam përmendur dhe në një shkrim të mëparshëm, baza e krahasimit e propagandës moniste shkonte deri te viti 1938, më i miri i periudhës zogiste dhe më vonë në vitin 1960, kur u prishëm me sovjetikët apo dhe vitin 1970, por asnjëherë krahasimet nuk “degdiseshin“ te viti 1912. Sepse kështu do të dilej jashtë binarëve të së vërtetës dhe realiteteve historike, siç është dhe referenca e gabuar me 100 vite “poshtërsi“ dhe shpërfillje” europiane.
Le të jemi më konkretë:
Dihet se BE-ja filloi funksionimin më 1 Janar 1958, pra bëhet fjalë për 67 dhe jo 100 vite në marrëdhëniet tona me BE-në; le t‘u zbresim këtyre dhe 32 vite kur sistemi ynë i atëhershëm monist jo vetëm që nuk mbante asnjë lidhje me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, por i kishte shpallur me Kushtetutë “ armiqtë më të mëdhenj të socializmit”! Atëhere, del se “poshtërsitë“ europiane i përkasin vetëm 35 dhe jo 100 viteve!
Tani, nëse fjala është për poshtërsitë e vërteta e të njohura që na kanë bërë shtete të caktuara europiane deri në vitin 1945, ato BE-ja i ka denoncuar dhe shoqëruar me kompensime të gjithanshme dhe ndaj vendit tonë; ndaj “ poshtërsitë” e dikurshme nuk mund t’i faturohen më asaj, problemet e mbetura për zgjidhje po.
Siç mund të shihet nga të dhënat dhe faktet e mëposhtëme, BE-ja ka treguar kujdes, përfillje, bujari dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj Shqipërisë në të gjitha proceset e saj reformuese dhe demokratike gjatë të gjitha 35 viteve të fundit.
Kështu, sapo Shqipëria bëri kërkesën zyrtare më 8 Qershor 1990, mbasi plotësoi kushtet e njohura të pluralizmit politik, një vit më vonë Brukseli ra dakord dhe vendosi marrëdhëniet diplomatike me ne, krahas anëtarësimit në OSBE.
Më tej, në Prill 1992 u nënshkrua Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit Ekonomik, Tregtar dhe Teknik me BE-në, madje me synimin që në vitin 1996 të nënshkruhej Marrëveshja e përparuar e Asocimit si me vendet e tjera “simotra“ ish lindore. Për këtë qëllim, në vitin 1995 erdhi në Shqipëri Komisioneri i Jashtëm i BE-së, Van den Broeck dhe po bëhej gati gjithçka për atë marrëveshje.
Pavarësisht nga deficitet e mëdha demokratike të vendit tonë në atë periudhë, vetëm pesë vjet pas shembjes së komunizmit, BE-ja ishte e interesuar t’i përfshinte vendet lindore në gjirin e vet dhe Shqipëria e vogël dukej si ndër vendet më të përshtatshme. Mirëpo këtij synimi madhor gjeopolitik me BE-në iu dha një goditje e rëndë me farsën zgjedhore të vitit 1996 dhe sidomos me krizën famëkeqe të piramidave në Mars 1997, duke e hedhur në erë “ Marrëveshjen e Asociimit” dhe anëtarësimin tonë të shpejtë bashkë me 10 vendet e tjera më 2004. Ndaj, poshtërsia këtu erdhi nga qeveritarët tanë të asaj periudhe e jo nga BE-ja.
Më 25 Mars 1997, Kryeministrat dhe Ministrat e Jashtëm të BE-së ishin mbledhur për të festuar 40 vjetorin e Traktatit të saj themelues në sallën historike të nënshkrimit të Traktatit themelues të BE-së në Romë. Isha i pranishëm me delegacionin tonë qeveritar të kryesuar nga ish-Kryeministri Fino në takimin në atë sallë historike, ku shqetësimi dhe trishtimi i shkaktuar nga piramidat shqiptare dukej sheshit.
Ndërsa një vit më vonë ndodhi rebelimi i 14 Shtatorit që na largoi sërish për një afat të pacaktuar nga BE-ja. Atë ditë, duke qenë me punë në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel kisha lënë një takim në Komisionin Evropian me Shefen e Njësisë për Ballkanin, Tereza Sobieski dhe sapo hyra në zyrën e saj ajo me pyeti tejet shqetësuar: ”Ç’po ndodh kështu në vendin tuaj, ne sapo kishin gati programet e rimëkëmbjes ekonomike për kapërcimin e krizës së vitit 1997”?!!!!
Më vonë, gjatë viteve 2000 – 2002 do thënë se u krijua një bilanc pozitiv premtues me shumë hapa afrimi cilësor me BE-në, por pastaj vetë koalicioni qeverisës i asaj kohe e zhbëri pa pikë përgjegjësie. Tamam kur pritej hapja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit në vitin 2001, shumica e majtë e asaj kohe rëzoi qeverinë e vet kur sapo kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme me gjithë problemet e rastit. Megjithatë, korrupsioni dhe të këqiat e tjera për të cilat u rëzua qeveria e Ilir Metës, u përshkallëzuan më tej nga qeveritë e mëpasme.
Për pasojë, u shtynë gati 2 vjet bisedimet e lartpërmendura, të cilat u çelën vetëm më 31 janar 2003, mbas trysnisë së madhe nga BE-ja, e cila dërgoi në Tiranë me atë rast Presidentin e Komisionit Europian, mikun e vendit tonë, Romano Prodi.
Më vonë, ndonëse nga ana teknike gjithçka ishte gati, nënshkrimi i Marrëveshjes se Stabilizim- Asociimit u shty pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe u realizua në Qershor 2006 gjatë mandatit të mazhorancës së re të djathtë me besimin se ajo do të bënte diçka më mirë edhe drejt riafrimit më BE-në.
Ca më tepër kur gjatë periudhës 2000 – 2010, BE-ja bëri dhe dy “poshtërsi” të tjera madhore ndaj vendit tonë; në Prill 2009 pranoi në Pragë kërkesën tonë zyrtare për statusin kandidat ndërsa në dhjetor 2010 liberalizoi vizat me vendin tonë dhe ishte pothuajse gati të na jepte statusin e shumëpritur “kandidat”.
Mirëpo, prapë, politika dhe kryesisht mazhoranca e asaj kohe rishfaqi problemet dhe mentalitetet autoritariste dhe u përfshi në një seri ”gërvëresh » politike me opozitën, të cilat më vonë u bënë shqetësime serioze për komunitetin ndërkombëtar. Dihen tashmë debatet e ashpra, dështimet e misioneve të BE-së për shkak të kreyeneçësisë së qeveritarëve tanë, vrasja e qytetarëve të pafajshëm nga ana e Gardës gjatë mitingut të madh të ish-opozitës më 21 Janar 2011 dhe më në fund Marrëveshja në Restaurant “ Au Crocodile” në Strasburg.
E pra, pas gjithë këtyre hapave prapa nga ana jonë, të flasësh për “ poshtërsi” të BE-së është “si të kërkosh gjilpërë në kashtë”!
Më në fund, pas ardhjes së ”Rilindjes” në pushtet, në Qershor 2014, Shqipëria me shumë vonesë për kusuret e saj e fitoi statusin kandidat, një hap i madh drejt afrimit të mëtejshëm, por ende larg çeljes së negociatave, le më pastaj anëtarësimin në BE. Dhe kjo për fajin e saj dhe të opozitës. Si mund të ndizte BE-ja dritën jeshile kur krizat dhe krisjet shumicë-opozitë ndiqnin njera tjetrën, duke angazhuar disa misione të rëndësishme ndërmjetësuese nga BE-ja, OSBE-ja dhe vetë SHBA-të?
Në ato kushte, BE-ja u detyrua ta “bënte dëng” katalogun” e saj të kushteve, kërkesave dhe kritereve për çeljen e negociatave me tema problematike ulëritëse, si dekriminalizimi, reformimi i gjyqësorit, vettingu, lufta kundër kanabizimit të vendit, etj të cilat e vështirësuan dhe më shumë caktimin e një date apo periudhe për hapjen e negociatave me BE-në. Europianët që siç e pohonin dhe vetë u kishte ardhur “ në majë të hundës” na e thonin troç: “ Punoni, na thoni kur jeni gati dhe fillojmë bisedimet menjëherë”!
Tani, nëse “poshtërsi” europiane konsideron 9, 12 apo dhe 15 kushtet gjermane, franceze, holandeze që na u vendosën disa vite më parë këtu gabon, sepse ato kanë të bëjnë me kriteret e njohura demokratike të Kopenhagenit të vitit 1993. Në fakt, ato kushte u plotësuan përkohësisht sa për të çelur negociatat, por ato mbeten aty deri në fund të procesit, duke filluar nga grup kapitulli i parë që do të çelet sërish në fund të bisedimeve, si kreu përcaktues i objektivit “Shqipëria në BE në vitin 2030!
Ndaj, është më e udhës dhe më e drejtë të mos flasim për poshtërsi të BE-së e as për “ merita” të Putinit por për dobësitë dhe dështimet tona. Pastaj, BE-ja nuk është “krushqi” sikurse e përsëritim sa herë në forume të ndryshme, por një “vrapim me shumë” pengesa, një udhëtim i gjatë, i mundimshëm me 27 stacione metropolesh europiane!
E pra, pas gjithë këtyre hapave prapa nga ana jonë, të flasësh për “ poshtërsi” të BE-së është “si të kërkosh gjilpërë në kashtë”! Gjithsesi, për ta mbyllur “ me ëmbëlsirë”, le të pranojmë se BE-ja ka bërë vërtet disa “poshtërsi” ndaj nesh, por që janë për t’u patur zili për të gjithë! Veç ndihmave dy dhe shumëpalëshe në miliarda Euro në të gjitha fushat, të cilave ne u jemi përgjigjur dhe duke xhvatur, siç është “ avullimi” i 132 milionë Euro të projektit IPARDI për bujqësinë por jo vetëm; në vitin 2019 Komisioni Europian thiri urgjent në Bruksel Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, ku u premtuan 1,1 miliard Euro për tërmetin e 26 nëntorit 2019; me rastin e COVID – 19 BE-ja kontribuoi me 3,3 miliard Euro për të 6 vendet e rajonit. Vitin e kaluar, ajo ka akorduar 6 miliard Euro në kuadrin e
Paktit të rritjes Ekonomike rajonale, krahas miliardave të tjera për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Dhe këtu “ poshtërsia” politike u bë nga ne, sepse në vend të Procesit të Berlinit gjithëpërfshirës sajuam “ Ballkanin e Hapur” që lindi qysh në fillim i mbyllur. Dhe lista e këtyre “ poshtërsive” vazhdon të jetë e gjatë.
Siç u pa qartë dhe më sipër, nuk është e vërtetë as se BE-ja paska përfillur Shqipërinë vetëm apo kryesisht këto 12 vitet e fundit! Kujdes, pavarësisht etheve zgjedhore, puna nuk duhet të shkojë deri te “privatizimi” dhe instrumentalizimi i procesit historik të anëtarësimit tonë në BE; sepse dhe “ bufi” e di që kjo është aspiratë dhe produkt i gjithë klasës politike dhe shoqërisë sonë në vazhdimësi, ku qeveritë e çdo krahu, kush më shumë dhe kush më pak kanë meritat e tyre. Për rrjedhojë, krahas sukseseve, dhe mosarritjet, vonesat dhe dështimet u takojnë të gjithëve, e sidomos qeverisë Rama, sepse ajo ka gati 12 vjet që qeveris vendin!