Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka apeluar nga Janina për emigrantët shqiptarë që ende nuk janë regjistruar për të marrë pjesë në votimet e ardhshme.
Ai theksoi se ka mbetur vetëm 3 ditë deri në mbylljen e aplikimeve dhe u kërkoi emigrantëve të tregojnë kujdes me dokumentet e nevojshme.
Balla u bëri thirrje emigrantëve që të shmangin gabimet e vogla në aplikimet e tyre, siç është vendosja e duhur e faqes së dokumentit të adresës, dhe i siguroi ata që mund të përmirësojnë kërkesat e refuzuara.
“Thirrja ime shkon për të gjithë ata bashkatdhetarë të cilët nuk janë regjistruar ende. Kanë mbetur edhe 3 ditë në dispozicionin tuaj, përfshirë edhe të martën gjithashtu, për t’u regjistruar deri në orën 24 të ditës së martë.
Po ashtu, dua t’ju bëj një thirrje të gjithë atyre që u është refuzuar aplikimi, kryesisht për një gabim shumë të vogël, lehtësisht të shmangshëm që ka të bëjë me vendosjen e faqes së duhur të dokumentit të adresës. Shumë prej bashkatdhetarëve vendosin vetëm faqen e parë ku është adresa, por ju lutem vendosni dhe faqen e fundit ku është vula e institucionit që ka lëshuar faturën, apo në raste të tjera kur vendos faqen e parë të dokumentit, ndërkohë që adresa ndodhet në faqen tjetër mbrapa.
Ky është një mandat që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Greqi, Itali, SHBA, Kanada apo Britaninë e Madhe e dinë që këtë aspiratë historike të shqiptarëve e bën të mundur vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama”, tha ai.