Ukraina sot është simbol i një vendi që lufton për mbrojtjen e lirisë dhe sovranitetit të tij, i sulmuar nga një fuqi ekspansioniste si Rusia, e cila kërkon shtrirjen e influencës së saj në Europë. Populli ukrainas janë heronjtë që po mbrojnë lirinë dhe të ardhmen e tyre me sakrifica të jashtëzakonshme. Mbi 1.5 milion njerëz janë vrarë dhe plagosur në këtë luftë të pabarabartë dhe mizore, ku Perëndimi dhe Europa deri tani i ka përkrahur në qëndresën e tyre, por nuk ka arritur ti ndihmojë për të fituar këtë luftë.
Ndihma europiane dhe perëndimore ka qenë proporcionale me frikën që kanë pasur për të mos provokuar Rusinë, për të mos nxitur një luftë bërthamore në botë. Për shumë nga vendet europiane, Ukraina është parë si beteja që po ndalon Rusinë në ekspansionin e saj ndaj Europës dhe po mundëson mbrojtjen e hegjemonisë Perëndimore në Europë.
Në vend që ta ndalojnë këtë luftë dhe të shpëtojnë jetët e njerëzve të pafajshëm, Europa ka parapëlqyer sakrificën e Ukrainës për të mbrojtur vetveten. Gjatë 3 viteve të konfliktit ajo ka dhënë armatime me kondita për ti përdorur, armatime dhe tanke jo të teknologjisë së fundit dhe aeroplanë të gjeneratave të shkuara. Europa nuk ka pasur guximin ta pranojë menjëherë Ukrainën në BE, duke u justifikuar me proceset burokratike, pa i dhënë mundësi ukrainasve të kishin mbrojtjen e një shteti Europian.
Në zgjedhjet e fundit në SHBA fitoi Presidenti Trump, i cili në platformën e tij elektorale kishte mbylljen e konflikteve në botë, konflikte që shkatërronin jetët e njerëzve dhe vazhdimësia e tyre mund të përfshinte botën në një luftë të re botërore. Këto propozime nuk ishin pjesë të axhendave të fshehta apo përkrahje për Rusinë. Ato u aprovuan nga populli amerikan me një votë plebishitare për të arritur paqen.
Konflikti që po shihet sot midis Europës dhe SHBA-së nuk është dhe nuk mund të jetë Ukraina për qëndrimet e tyre. Kur Administrata Obama mbylli sytë për pushtimin e Krimesë nga Rusia dhe aneksimin e saj në 2015, apo kur Gjermania i jepte ndihmë Ukrainës 6 mijë helmeta, Presidenti Trump urdhëroi Pentagonin të dërgonte raketat anti-tank Javelin, të cilat bënë të mundur ndryshimin e raporteve në frontin e luftës në favor të Ukrainës duke shkatërruar gjithë armatën e tankeve ruse.
Europa është e shqetësuar nga pozicioni i Administratës Trump ndaj marrëdhënieve midis aleatëve, vendosja e tarifave reciproke, kërkesa e Trump se Europa duhet të bëhet e vetëdijshme për të shpenzuar për mbrojtjen e saj dhe duhet të armatoset apo në nevojën që ka Europa brenda vetes të rikthejë vlerat perëndimore, etj. etj. Në këtë marrëdhënie të re Europë-SHBA, Europa përdor cështjen e Ukrainës, ku mendon se mund të marrë mbështetjen e opinionit publik dhe të fitojë kohë me patriotizmin e saj për tu riorganizuar.
Një situatë në dukje e ngjashme por aspak e krahasueshme po ndodh me Shqipërinë. Regjimi i korruptuar i Tiranës bëri cdo gjë për të blerë përkrahje dhe për të korruptuar këtë administratë amerikane, ashtu sic bëri edhe me McGonigal dhe me A. Soros për të patur përkrahjen e Blinken dhe administratës së shkuar: Dha prona dhe pasuri të shqiptarëve për të shpëtuar pushtetin e tij të krimbur nga korrupsioni. Por, për Administratën Trump regjimi i Tiranës është i papranueshëm dhe Edi Rama një kukull e Soros me axhenda të fshehta bashkëpunimi, që ka shkatërruar vlerat perëndimore dhe arreston liderin e opozitës (J. D. Vance në Munich).
Komisioni i Kongresit Amerikan, ku Shqipëria dhe Edi Rama përmenden me emër për këtë veprimtari dhe atentat kundër demokracisë, zyrtarizoi qëndrimin amerikan dhe i bën të pashpresa përpjekjet e Edi Ramës për të marrë influencë në Washington. Për më tepër, kjo gjë pengon edhe gjithë inisiativat diabolike të tij për ti rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në nëpërmjet sheikëve arabë, apo shërbimeve të cmuara që i ka ofruar Melonit, izraelitëve, apo të tjerëve që mund ti dalin rrugës.
Rama sot po afrohet me europianët për Ukrainën, sigurisht jo hapur, duke u bërë edhe qesharak në OKB dhe mbështetur e votuar 2 rezoluta të kundërta. Por si kameleon, ai ka hedhur në betejë kamikazët dhe “terroristët” e shtypit të tij për të sulmuar opozitën Shqiptare “se mezi ka pritur të bashkohet me Rusinë” për qëndrimet e saj në parim për të mbrojtur Presidentin Trump dhe planin e tij të paqes.
Për terroristët e shtypit pro Ramës, që për gazetarin e mirënjohur Y.R. “shkatërrojnë cdo gjë ku vënë dorë dhe justifikojnë të pajustifikueshmen”, ky është një shërbim që i bëjnë Ramës për të goditur personalitetin e Presidentit Trump dhe për të relativizuar përkrahjen e kësaj administrate për opozitën si alternativa për të ardhmen. Ata janë bërë aq qesharakë kur kanë shkruar se SHBA do të bëhet e pabesueshme dhe pa influencë në Shqipërisë, në qoftë se i heq non-gratën liderit të opozitës Shqiptare.
Rama po përjeton fundin e projektit të tij politik duke i sakrifikuar të gjithë “përkrahësit” e tij sikur të ishin mercenarë. Ai po sakrifikon gazetarët kamikazë që i kanë justifikuar korrupsionin galopant dhe shpërdorimin e pronave publike apo kanë devijuar me cështje dytësore fokusimin e opinionit publik në cështje të funksionimit të shtetit ligjor, kapjen e politikës nga krimi apo shkatërrimin e demokracisë.
Ai po kërcënon drejtësinë e krijuar prej tij dhe e komanduar prej tij që në kushtet e reja politike të mos marrë asnjë veprim ndaj veprave të tij korruptive tashmë të evidentuara me fakte; Rama po vret të gjithë bashkëpunëtorët e tij, si Haxhi Qamili, për të mos patur dëshmitarë në ngrënien e përbashkët të dardhave dhe mollëve të pasurisë popullore; ai po përdor edhe Presidentin e Republikës për të hequr anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me integritet që kanë dhënë vendime në respekt të ligjit dhe Kushtetutës për të kapur e siguruar edhe këtë institucion.
Rama ka arritur shumë gjëra duke e shtypur popullin Shqiptar në dinjitetin e tij, duke e lënë gjysmën e popullsisë në mjerim dhe varfëri për të mos ngritur zërin; të mos ngrihej në mbrojtje të të drejtave të tij duke larguar mbi 1 milion shqiptarë, duke dhuruar pasuritë e këtij vendit me sheikë, oligarkë apo miq të tij për ti hequr perspektivën për të ardhmen.
Kur kujtoi që arriti cdo gjë dhe u bë mbret i Shqipërisë, fundi i tij politik po vjen nga vendi më i lirë dhe demokratik në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i ka përdorur deri tani si mjet për të sulmuar opozitën. Atëherë kur mendoi se ishte i paprekshëm dhe lider global, sic e ka pagëzuar Vucic, harroi që lavdinë ta jep populli yt, dedikimi për vendin tënd.
Prandaj edhe sulmet “moraliste” kundër Trump dhe në favor të Ukrainës nuk mund të të shpëtojnë në narko-shtetin tënd, kur dhe bandoregjimi shkërmoqet nga frika e më të fortit.