Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur dyshime mbi propozimin franko-britanik për dërgimin e ushtarëve paqeruajtës në Ukrainë, duke theksuar se Italia nuk do të dërgojë ushtarë në këtë vend.
Ajo shpjegoi se plani është i komplikuar dhe nuk është i bindur për efektivitetin e tij. Në të njëjtën kohë, Meloni ka mbështetur qëllimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump, për arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Ajo theksoi se ky është një objektiv i përbashkët për të gjithë dhe se kërkohen propozime të ndryshme për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
“Kur shpërtheu lufta në Ukrainë, unë isha kreu i partisë së vetme opozitare të qeverisë së Draghit. Qeveria e Draghit ishte në gjendje të llogariste kontributin tonë, ndihmën tonë”, tha ajo në lidhje me kritikat e opozitës se Meloni nuk mbrojti presidentin ukrainas. “Ka raste kur nuk ka nevojë të krijohen domosdoshmërisht polemika. Unë thashë atë që mendoj. Kjo është koha kur njerëzit seriozë punojnë për të korrigjuar, jo për të ndarë më tej” – tha kryeministrja italiane.









