Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka njoftuar se Kanadaja do të zbatojë tarifa prej 25% ndaj importeve amerikane në vlerë prej 155 miliardë dollarësh. Kjo masë vjen pas vendosjes së tarifave nga SHBA-ja ndaj Kanadasë.
Trudeau theksoi se nuk kishte asnjë justifikim për këto tarifa dhe e akuzoi SHBA-në se po përpiqej të qetësonte Vladimir Putinin, duke përfshirë Kanadën në një luftë tregtare.
“Shtetet e Bashkuara nisën një luftë tregtare kundër Kanadasë, partnerit dhe aleatit të saj më të ngushtë, mikut të tyre më të ngushtë. Në të njëjtën kohë ata po flasin për të punuar pozitivisht me Rusinë, duke qetësuar Vladimir Putinin: një diktator gënjeshtar, vrasës”, ka thënë Trudeau.
Ai njoftoi se tarifa do të aplikohen menjëherë për mallrat amerikane në vlerë 30 miliardë dollarë, ndërsa për mallrat e mbetura do të zbatohet brenda 21 ditësh.
“Kanadezët janë të arsyeshëm dhe ne jemi të sjellshëm. Por ne nuk do të tërhiqemi nga një luftë. Jo kur vendi ynë, dhe mirëqenia e të gjithëve në të është në rrezik”, është shprehur ai.