Në Serbi është thyer konsensusi i deritanishëm shoqëror mes pushtetit dhe opozitës në të cilin, sikundër në “Historinë e luftës së Peloponezit”, të fortët bëjnë atë që duhet të bëjnë e të dobëtit durojnë atë që duhet të durojnë. Dhe pushtetit nuk do t’i ndihmojë fajësimi i Kosovës e shqiptarëve për këtë.
1.
Ekziston një indikator pothuajse i pagabueshëm i matjes së momentit të ndryshimit gjeneracional brenda shteteve, e ai është momenti kur pushteti fillon të kërkojë fajtor te tjetërkush për revoltën e një gjenerate kundër tij. Kështu m’u duk dita e djeshme në Serbi ,pas tre muajsh të kaluar të revoltës së studentëve kundër pushtetit. Studentët protestues fillimisht u akuzuan se janë të manipuluar prej spiunazheve perëndimore – prej Britanisë së Madhe e deri te Kroacia, pastaj se ishin pjesë e një konspiracioni të madh për ta ndarë Vojvodinën prej Serbisë, për të arritur në fund te fajtori i sigurt, tradicional e kujdestar, shqiptarët e Kosovës.
Dje në Kuvendin e Serbisë nga anëtarët e opozitës u hodhën bombola me tym e gaz çfarë zakonisht shihen në ndeshjet e futbollit e basketbollit në Serbi. Kjo u bë për të penguar mbajtjen e rregullt të mbledhjes së Kuvendit dhe qe një metaforë për të treguar se gjendja në Serbi nuk është e rregullt e se deputetët e opozitës në Serbi duan të solidarizohen me studentët të cilët përgjatë tre muajve me radhë janë duke demonstruar kundër një gjendje të cilën ata e konsiderojnë të parregullt, gjendjen e një shteti jodemokratik.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, arriti pikën kur deputetët e opozitës i përshkroi si njerëz që punojnë për interesa të shqiptarëve të Kosovës, kryeministrit Kurti dhe medieve në gjuhën shqipe. Dhe me këtë më duket se e futi Serbinë në atë gjendje çfarë ishin shtetet e tjera para se të përmbyseshin elitat në pushtet, të gjetjes së fajtorit te tjetri, mundësisht tek ai që tradicionalisht është i demonizuar.
2.
Përgjatë shekullit XX e në këto troje përgjatë socializmit ka qenë lista e gjatë e “armiqve” që trazonin popullatën. Në Jugosllavi ishin herë imperialistët britanikë, Stalini e informbyroja, rojalistët grekë, Sigurimi i shtetit i Shqipërisë e kështu me radhë. Çfarëdo demonstrate, çfarëdo pakënaqësie, çfarëdo kritike ndaj pushtetit ishte e pamundur të ketë lindur brenda popullit (studentëve, punëtorëve) e të tjerëve që ishin për nga definicioni të “pastër”; duhej të kishin ardhur si projekt i agjenturave të huaja.
Por, nuk ndodhte vetëm në socializëm. Në Gjermaninë e Hitlerit u ndërtua një ideologji e tërë e cila përcaktonte se pastërtia e veprimit dhe mendimit gjerman është prishur nga ndikimi helmues i hebrenjve (historia pastaj tregoi se si mendoi Hitleri ta ruajë këtë pastërti gjermane).
Dhe ky fenomen ndodh edhe në vende që nuk ishin totalitare. Në SHBA, u ngrit e tërë një lëvizje me senatorin McCarthy për të hulumtuar “agjenturën komuniste” në Hollywood; si mund ta shikonte me sy kritikë realitetin e një demokracie si Amerika regjisori a aktori amerikan?
I huaji duhet të jetë fajtor sikur te prindërit që janë të pakënaqur me sjelljen e fëmijës së vet dhe mendimi i parë që u vjen është se kjo rrjedh nga shoqëria e keqe.
3.
Ndoshta kjo analogji me fëmijë mund të elaborohet edhe më tutje në rastin e Serbisë. Që nga fillimi i protestave të studentëve – së pari si protestë me shkas tragjedinë e stacionit hekurudhor në Novi Sad, e tashmë protestë kundër percepcionit të tyre se Serbia nuk është shtet demokratik e funksional-terminologjia e pushtetit ishte për “fëmijët” të cilët kanë ngritur kërkesat e tyre. Në kundrimin tradicional të pushtetit i cili në Serbi ka humbur mekanizmat vetëkontrollues të demokracisë-në vota, lirinë e sferës publike të shprehjes, sundimin e pavarur të ligjit-“fëmijët” nuk mund të ngrihen vetë kundër pushtetit pa ndikimin e shoqërisë së keqe.
Pushteti, zaten, është disenjuar si i tillë , me hiperparaqitjen e presidentit Vuçiq, i cili që nga mëngjesi deri në mbrëmje do të dalë disa herë në televizion për të shpjeguar çdo gjë që duhej të dinë “fëmijët”- sa është pesha e konstruksionit të shtyllave nëpër stacione hekurudhore, si po lëviz përpara vija ruse e frontit në Durkllovsk apo ndonjë fshat tjetër të Ukrainës, sa është çmimi momental i gazit azerbajxhanas në bursën evropiane, sa do të mungojë energji elektrike për shkak të ngritjes së kapaciteteve të Inteligjencës artificiale në Emiratet e Bashkuara Arabe, sa është kësti i kredisë për banesë njëdhomëshe, sa patate ka pasur në depo Serbia më 2019 dhe sa tash, me sa për qind është pëlqyeshmëria e presidentit të Serbisë në sondazhin e fundit në Shenzhen të Kinës. “Fëmijët”, të mbushur me të gjitha informatat që u duhen nga presidenti i tyre, nuk mund të gabojnë, pos nëse i mëson dikush ndryshe.
Kryetarja e Kuvendit tash po e kupton se nuk janë vetëm “fëmijët” ata që po rebelohen dhe po tregojnë se gjendja nuk është e rregullt, porse po e bën edhe opozita. Kjo opozitë me vite të tëra ka qenë pjesë e një konsensusi shoqëror në të cilin, siç është shprehur Tukididi në shekullin e pestë para erës sonë në “Historinë e luftës së Peloponezit”, të fortët bëjnë atë që duhet të bëjnë e të dobëtit durojnë atë që duhet të durojnë.
Ky konsensus shoqëror në Serbi është prishur në fund të vitit të kaluar. Studentët kanë treguar se dobëtit nuk duhet të durojnë atë që duhet të durojnë dhe tashmë atyre u është bashkuar opozita.
Hapi i ardhshëm është i logjikshëm për studentët e opozitën e ai është të tregojnë se të fortët më nuk mund të bëjnë atë që duhet të bëjnë. Dhe, këtë e di pushteti, ai që si i fortë ka bërë çka ka menduar se duhet të bëjë.
4.
Presidenti Vuçiq e quan revoltën e studentëve si një revolucion i vonuar i “ngjyrosur”, duke përdorur nocionin e përdorur për revoltat demokratike në Ukrainë e Gjeorgji, që rrëzuan pushtetet e afërta me Putinin. Me këtë, presidenti po bën një lloj vetëpërshkrimi të ngathtë duke e pranuar afërsinë e modelit të pushtetit të tij me atë të Putinit.
Kjo edhe mund të jetë ashtu, pra një revolucion i ngjyrosur. Por, mua më duket se ka më shumë autoktoni. Më duket se revolta e cila ka filluar me studentët e po zhvillohet horizontalisht, po merr formën organike të një revolucioni të fundit të vdekjes së ish-Jugosllavisë. Në zhbërjen e gjatë e të përgjakshme të Jugosllavisë, Serbia është marrë me gjithkënd dhe gjithçka, prej Sllovenisë e Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës e Malit të Zi dhe Kosovës. Është bërë pjesë e pështjellimeve globale, duke anuar me Rusinë e Kinën e betuar se është në rrugë evropiane.
Çdo ditë e natë në televizionet e pushtetit zgjidhen problemet e çdokujt, të kaluara e të tanishme, të arsyetimit të gjenocidit në Bosnjë e kundërshtimit të krimeve kundër njerëzimit në Gaza, të mbrojtjes së të drejtës të Rusisë që ta sulmojë Ukrainën dhe të drejtën e Ukrainës të mbrohet me municionin e blerë nga Serbia, të mungesës së mjekëve në Gjermani e të vozitësve të autobusëve në Britani të Madhe. Fëmijët e lindur në fillim të këtij shekulli janë marrë me çdo gjë pos me atdheun e tyre, Serbinë. Dhe tash janë ngritur duke kërkuar që atdheu i tyre, Serbia, të jetë një shtet normal, demokratik, etik, i padhunshëm; po kërkojnë në këso terma abstraktë, sepse normaliteti në Serbi është abstraksion, nuk e kanë pasur ndonjë pikë reference të mëhershme.
Nuk di si do të vazhdojë më tutje kjo revoltë. Më duket më se e sigurt që nuk do të mund të kthehet në gjendjen e mëparme, të Tukididit, të të fortëve që duhet të bëjnë atë që duhet të bëjnë. Por, edhe pse di se nuk do të ndodhë një përmbysje e cila e bën Serbinë prej një dite në tjetrën shtet normal, di se kjo lëvizje ka mundësi që një ditë të përfaqësojë masën kritike që do ta bëjë kthesën transformative- mbase duke siguruar që Serbia të ketë diçka që kanë shtetet e tjera evropiane, zgjedhje të lira e demokratike.
Ditëve e javëve në vazhdim do të ketë gjithnjë e më shumë studentë e popuj që do ta përkrahin këtë lëvizje. Mund të jenë me mijëra, ndërsa pushtetit, i cili nuk e kupton pse ka ardhur në këso fundi të vet, nuk do t’i ndihmojë as të fillojë të besojë në konsekuencën përfundimtare të gënjeshtrës së vet se ata janë shqiptarë. Një ditë në sytë e vet, pushtetit do t’i duken si një milion studentë shqiptarë në Beograd dhe atë ditë do të kuptojë se nuk ka ku të shkojë më./ KOHA