Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë për situatën alarmante ekonomike në Shqipëri, ku shqiptarët paguhen mesatarisht vetëm 2.47 euro në orë, duke e renditur vendin me pagat më të ulëta në rajon.
Ajo theksoi se fuqia blerëse e shqiptarëve është shumë e ulët dhe propozoi zgjidhjen përmes një takse të sheshtë prej 10%, si dhe çlirimin e tregjeve nga monopole dhe oligopole.
Reagimi i plotë
Çdo shqiptar sot paguhet vetëm 2.47 euro për orë, dhe kjo vlen vetëm për ata që kanë fatin të jenë në punë, sepse pjesa më e madhe janë pa punë. Kjo normë pagese është më e ulëta absolute në të gjithë rajonin.
Pse puna e një shqiptari duhet të vlejë më pak? Pse një shqiptar paguhet sa gjysma e atij që punon në Mal të Zi? Pse një shqiptar, që punon nga mëngjesi deri në darkë, duhet të ketë fuqinë më të ulët blerëse në rajon dhe të përballojë me vështirësi rritjen e vazhdueshme të çmimeve?
Sot tregjet në Shqipëri janë të kapura, dhe shumica e buxheteve familjare shkon vetëm për ushqim. Kjo situatë lë shumë pak potencial për shpenzime të tjera për familjet shqiptare.
Si mund të ndryshojë kjo situatë? Zgjidhja është shumë e thjeshtë: Së pari, aplikimi i taksës së sheshtë prej 10% për punën, e cila i jep dinjitet dhe vlerë punës, duke e bërë atë konkurruese me vendet e tjera të rajonit.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme çlirimi i tregjeve dhe heqja e të gjitha taksave që do të sillnin ulje çmimesh. Rritja e konkurrencës dhe eliminimi i monopoleve e oligopoleve në tregjet shqiptare do të çonte në ulje të çmimeve për qytetarët.
Ekonomia është shumë e thjeshtë; ajo që ka munguar është vullneti politik. Ka munguar politika ekonomike e drejtë dhe janë aplikuar taksa të larta duke krijuar një ekonomi preferenciale. Për këtë arsye, Partia Demokratike propozon një program ekonomik që u shërben të gjithë shqiptarëve, duke krijuar një ekonomi të shumicës.