Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ligjet që kalojnë në mbylljen e sesionit parlamentar, duke i cilësuar ato si shembuj të kapjes së shtetit nga interesat klienteliste.
Në qendër të kritikave të saj ishte Paketa e Maleve, që sipas saj, favorizon pakicën dhe shkel hapur të drejtën e pronës dhe konkurrencën e lirë.
Fjala e plotë:
Po mbyllet sesioni parlamentar përpara zgjedhjeve me ligje të porositura, ashtu siç ka qenë tendenca gjatë 11 viteve të fundit.
Paketa e maleve është qartësisht një ligj preferencial i qeverisë, i porositur, i cili ka në thelb pabarazinë para ligjit, por nga ana tjetër shkel me të dyja këmbët edhe të drejtën e pronës.
Çfarë ndodh me paketën e maleve? Pa garë, pa konkurrencë, prona shtetërore, e cila mund të jetë dhe e pronarëve të vjetër, i jepet për 10 vite në përdorim për 1 euro dhe me taksa të ulura kujtdo që e kërkon dhe e pretendon këtë pronë. Në dorë të bashkive mbetet përcaktimi i prioriteteve për zonat me zhvillim.
Ky ligj bie ndesh me ligjin për pronat, krijon një skenar paralel dhe një proces paralel me atë të kompensimit të pronave. Gjithashtu, bie ndesh me ligjin e prokurimit publik, i cili detyron zhvillimin e një gare të hapur për të gjitha asetet, pronat dhe burimet shtetërore. Për më tepër, ky ligj bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Kështu që, kur dëgjoni që flasin për integrim europian dhe luftë kundër korrupsionit, kini parasysh që ajo që ka rëndësi janë aktet. Dhe aktet tregojnë të kundërtën: paketa e maleve, ligji për prokurimet publike dhe çdo ligj tjetër me porosi që është sjellë në Kuvend ka qenë tërësisht korruptiv.
Ashtu si ky ligj, që vjen në ditën dhe seancën e fundit të parlamentit.