Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka deklaruar se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi duhet të kenë përparësi në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe jo Ukraina, transmeton Anadolu.
Orban në një pogram në “Radio Kossuth” foli mbi çështjet kryesore ekonomike dhe gjeopolitike, përfshirë inflacionin, politikat e BE-së dhe qëndrimin e Hungarisë ndaj luftës në Ukrainë.
Orban paralajmëroi se anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës do të kishte pasoja serioze për ekonominë dhe fuqinë punëtore hungareze.
“Ajo do ta shkatërronte Hungarinë“, tha Orban në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale nga zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs.
Orban theksoi se Hungaria mbetet e hapur ndaj zgjerimit dhe se përparësi duhet t’i jepet Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi.
“Serbia mund të pranohej nesër në mëngjes, gjë që do të sillte avantazhe të mëdha, veçanërisht për Hungarinë”, tha Orban.