-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Bardhi apo Berisha, do të ketë një përplasje tjetër

Kryesoret

Njeriu që urren më shumë Gazmend Bardhi është pikërisht drejtuesi i tanishëm i opozitës, Berisha. Ai nuk e urren Lulëzim Bashën. Ndoshta e përbuz, por nuk  ka ndaj tij  atë pezëm, mëri e urrejtje se sa ndaj të parit. As Edi Ramën nuk e urren. Ndoshta e adhuron nga larg, pasi ka arritur atë që ai vet do të kishte dashur të arrinte.  Ka qenë një periudhë disa mujore, kur në një qeveri teknike, tepër të përkohshme, ai u bë pjesë e kabinetit qeveritar, të drejtuar nga Rama, duke mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë.

Kjo kohë e shkurtër, e përbashkët, megjithëse nuk u takuan kurrë në një mbledhje qeveritare me njëri tjetrin, i tregoi atij se një lider, edhe pse , sipas bindjes së tij, nuk ishte i përshtatshëm për atë post të lartë, mund të vendoste një pushtet autokrat, të fuqishëm, çka është edhe ëndrra e tij. Fakt është se, megjithëse zgjedhjet u humbën rëndshëm, pikërisht nga kjo opozitë, ai vazhdoi të qëndronte edhe disa muaj në postin e ministrit, i lidhur fort pas forcës që i jepte autoriteti i ministrit, edhe i rënduar nga indiferenca, deri në mos ekzistencë e shefit të kabinetit qeveritar.

Prekja e pushtetit e afroi me mendësinë e Ramës dhe e largoi me arbitraritetin në parti të Berishës, që, edhe i larguar, zotëronte gjithçka.

Për Ilir Metën ai ndjen përbuzje, jo thjeshtë se përbuz nivelin e tij intelektual, por mbi të gjitha, ndjenja e supermacisë që shfaqte çifti i atëhershëm Meta, tejkalimi i figurës së tij , Bardhit, si diçka e pa rëndësishme dhe e përkohshme, e bënte të kishte zemërimin përbuzës, kur, për më tepër, mendja mediokre intelektuale e Metës dhe Kryemadhit, bashkuar me makiavelizmin përfitues, e bënë të përcaktohej për një rrugë tjetër pushteti në të ardhmen.

Me Bashën ai i ndau rrugët disa kohë më parë. Megjithëse ky i fundit e bëri “ personalitet”, dhe, mbi të gjitha figurën e dytë të opozitës, duke e joshur me rolin e liderit, dhe, si provë të përgjithshme, e lejoi të ndërtojë struktura gjysmë të armatosura, duke e joshur veten me rolin e ministrit të ardhshëm të Punëve të Brendshme, harresa dhe kthimi i një kundërshtari të Bashës ishte gjëja më pa rëndësi në jetën politike të Bardhit. Ashtu si njeriu kthente dikur një xhaketë të përdorur, ashtu bëri edhe ai. Në çastin që i ktheu krahët, e harroi.

Ndërlidhjet me Berishën janë më të gjëra se kaq. Kanë kaluar nga çastet e adhurimit, jo më kot fotografia e Berishës ishte e varur në faqen kryesore të dhomës së pritjes së familjes Bardhi, deri tek mëria dhe furtuna politike kundër tij.

Foto e Berishës në familjen Bardhi më kujtonte ndonjë nga familjet e ndjekura politikisht në kohën e komunizmit, të cilat, nga halli, droja dhe përndjekja vinin në ballin e shtëpisë foton e Enver Hoxhës.

Periudha e ndarjes mes Bardhit dhe Berishës ishte e shkurtër, por ndoshta më dramatikja në historinë e opozitës. Një kohë e habitshme, ku vlerat e karakterit , të cilat mund të ishin thelbësore, u bënë të pa rëndësishme.

Dy palët mprihnin thikat. Nga njëra anë, mprehësi kryesor ishte Bardhi, që në fakt ishte nxitësi kryesor i lëçitjes së Berishës, të cilin nuk e thërriste më në emrin e tij, por thjeshtë si “ babai i Zenit”, duke nënkuptuar shumë më tepër se sa një sinonim, e nga ana tjetër, disa pak besnikë të Berishës, të cilët, ose nga lojaliteti, forca e karakterit apo nuk kishin ku të shkonin ndryshe, e morën seriozisht përplasjen.

Ndonjërit Bardhi i përmendi bandat , me të cilat ishte i lidhur, pastaj vilat në bregdet, linjat mafioze që kishte krijuar, të tjerët i përcolli me ironinë e tij lakmitare, por, ajo që mendohej se do të ishte një përplasje fjalësh, pikërisht nga mendimi i Bardhit, që kishte shijuar pushtetin, por nuk kishte qenë i kënaqur, nga fjalët u kalua në hunj, gaz lotsjellës, shkallë ngjitje në muret e godinës së opozitës, të cilën bardhi dhe pasuesit e tij, në heshtjen e Bashës e kishin kthyer në një kështjellë.

Pasi i la disa orë të kënaqeshin me rrahjet dhe malmët, Edi Rama dërgoi forcat speciale dhe i ndau. Komedia që ishte kthyer në dramë, do të mund të ishte kthyer në tragjedi, por u ndal aty dhe forcat u tërhoqën për të rimarrë veten.

Bardhi e kuptoi se koha e tij nuk kishte ardhur ende. Për sa kohë përballë tij do të ishte Berisha, ai e mori vesh se do të ishte një figurë e përkohshme politike, që mund të kthehej në asgjë, sipas dëshirës apo vullnetit të liderit të fortë, Berisha.

Zëri i dobët, nganjëherë të kujton fëmijët e llastuar, ironia nga zori, dështimi për të treguar se ishte një njeri i fortë, duke flakur xhaketën në ndenjëset e parlamentit dhe përveshur mëngët, çka ishte komedi në vete , tërheqja kur e ndjen se mund të përsëritet rasti Salianji, të gjitha këto do të ishin të pa mjaftueshme ndaj kujtesës së Berishës.

Ky i fundit nuk e harron kurë atë që ka ndodhur dhe ka një kujtesë të mrekullueshme. Figura politike shumë më të rëndësishme se sa incidenti Bardhi janë flakur nga politike, pikërisht nga kujtesa e Berishës, që nuk ua kishte falur rebelimin, i cili kishte qenë shumë më i pakët se tërbimi i Bardhit në periudhën e ndarjes.  

Në ditët e fundit Gazmend Bardhi ishte në ankth. Megjithëse për shkak të një kompromisi të sajuar ai ishte bërë shefi i Grupit parlamentar të opozitës dhe nënkryetar i Berishës, përsëri e dinte se hartimi i listave për deputetë ishte në ekskluzivet e Berishës.

Bardhi ishte kthyer në gjirin e shefit të Foltores përmes një teorie asgjësuese si mashtrim i vetvetes,  “ bashkim në diversitet”, që , si jorgan i çastit të fundit nuk mbulonte dot këmbët e dala jashtë jorganit të opozitës,   përsëri nuk e dinte nëse shefi do e vendoste në listat e mbyllura, apo do e linte në provën e zjarrit, në listat e hapura.

Mendimi i përhapur se, në krye të listës së qarkut të Fierit do të ishte i burgosuri Ilir Meta, në fakt njeriu më besnik i Berishës, e trembi Gazmend Bardhin, pasi e dinte se, vendosja e emrit të tij në listët e hapura ishte sinjali i Berishës për ta lënë jashtë parlamentit.

U qetësua kur Meta u tërhoq nga listat e mbyllura dhe u ndje rehat kur u vendos në krye të listës së mbyllur të qarkut të Fierit, duke qenë përsëri në provën e jetës së tij. Deri asaj dite gjithçka ka fituar pa asnjë mund, më shumë i përkëdhelur, se sa i merituar. 11 maji do të jetë prova e tij.

Bardhi e urren Berishën dhe një grup besnikësh rreth tij për gjithçka ai mendon si i përket vetëm atij. Është përplasja e njohur  jo thjeshtë mes dy brezave apo dy mendësive, por mes njërit që synon të jetë si tjetri, dhe tjetrit që dyshon për gjithçka tek ai. Bardhi e ka të fituar bindjen se vendi i liderit është i tij, koha kur Berisha ishte në arrest shtëpiak  i solli joshjen e pushtetit brenda opozitës, solli synimin për të qenë ai dhe vetëm ai figura numër Një e pozitës dhe u hidhërua kur Berisha doli serish në foltoren e parlamentit.  

Bardhi nuk ka ndryshim në mentalitetin e Berishës. Thjeshtë nuk është i fortë si ai. Nuk ka ndryshim në botëkuptimin e një gjenerate tjetër.

E adhuron botëkuptimin e Berishës, duke e urryer atë. Mund të jetë i gatshëm të falë shumë gjëra, por që, edhe pse i shpallur “ non grata” nga dy shtetet e mëdha anglo – saksone , i mundi në fushën e tyre, i dëboi nga godina që e kishin fortifikuar, i përgjunji dhe i detyroi të ktheheshin bisht shalas, të përbetoheshin për besnikëri, duke qenë të gatshëm t ngulnin thikën, këtë ai nuk ia fal kurrë.

Provat që bëri disa herë për të qenë në publik njeriu që ka mendim ndryshe, që mund të formësohet disi si i veçantë, i dështuan, pasi, as nuk është i veçantë dhe as nuk është ndryshe.

Ankthi i fundit i vendit të tij në listat zgjedhore ishte pika që mbushi kupën. Tani pret fundin e fushatës, përfundimin e zgjedhjeve, që e di se janë të humbura, për të pasur revanshin e tij.

Mirëpo përsëri do të jetë i gabuar. Thellësisht. Këtë e di, dhe kjo e shton urrejtjen ndaj tij. Sidomos që përballë do të ketë figura të cilat as nuk i konsideron dhe që, me gjithë qejf do i kishte flakur nga partia. Vetëm mendimi se do i nënshtrohet shumicës, që është zgjedhur me dorë nga Berisha dhe të cilët mund ta dërmojnë pa asnjë shqetësim, e bën edhe më të thellë urrejtjen ndaj Berishës.

Dora që nuk kafshohet, puthet, është një thënie e hershme, që i shkon më së shumti për shtat rastit Bardhi.

Ai nuk e kafshon dot tani dorën e Berishës, por e puth me përkulje, duke menduar çastin e kafshimit.

Kështu do të ndodhë.

Në fakt, të gjithë e dinë se do të ketë një përplasje tjetër, por zhurma e saj do të jetë e kotë. Si e gjithë atyre që humbasin.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit