Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas videos e cila u publikua nga komedianët e famshëm rusë “Vovan & Lexus” me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thanë se ky i fundit ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Komedianët në videon e publikuar kanë shkruar se i janë prezantuar Kurtit si presidenti letonez.
Zyra e Kryeministrit duke e konfirmuar se kryeministri Kurti ka rënë pre e mashtrimit, ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pas zgjedhjeve, kur Kurti po pranonte një numër mesazhesh urimi dhe për rezultatet e zgjedhjeve. Ka shtuar se për shkak të kohës, “nuk ishte gjithnjë e mundshme që të kryheshin verifikime të plota të secilës thirrje”.
“Ky incident fatkeq riforcon atë që e kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar me Kosovën dhe vazhdon ta shënjestrojë shtetin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e ZKM-së.
Ndërkaq, për deklaratat për të cilat Kurti flet gjatë thirrjes me komedianët, ZKM-ja ka thënë se kjo e “riafirmon qëndrimin parimor dhe të qëndrueshëm të kryeministrit për çështje kyçe, qoftë në biseda publike apo private”.
Në video, Kurti dëgjohet teksa ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride. Këtu ka thënë se lufta e tillë është bërë kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”. Sipas tij, lufta e parë ndaj tij është bërë përmes dezinformatave.
Mendonte se po fliste me Presidentin e Letonisë, komedianët rusë mashtruan Kurtin?