-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ksenofon Krisafi: Kronologji diplomatike mbi sfidën e fundit të integrimit

Kryesoret

Autorin e librit më të ri monografik “NEGOCIATAT, sfida e fundit e integrimit“ Dr. Jorgji Kote e njoh që kur mbaroi studimet e larta dhe nisi hapat e para në jetë. Ishte mjaft i vlerësuar. Binte në sy për aftësitë, kulturën, mirësjelljen dhe paraqitjen elegante që kërkonte kryerja e kësaj pune.

Më vonë u përfshi me shumë sukses, në diplomaci. Pas përfundimit të misionit zyrtar, në respekt të plotë të etikës profesionale, ai e gjeti veten të lirë që mendimet e veta në fushën e diplomacisë, zhvillimeve politike, ekonomike, sociale të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare në Ballkan, të rajonit e më gjerë, t’i shprehte publikisht, nëpërmjet shkrimeve ose intervistave.

Si të tilla analizat dhe mendimet e shprehura prej tij përfaqësojnë kontribute me interes edhe për organet kompetente të shtetit shqiptar, të cilat kanë rastin të marrin kështu një ekspertizë të kualifikuar, për probleme me të cilat janë të angazhuara. Kompetenca profesionale, maturia dhe kujdesi i veçantë i treguar e kanë bërë Jorgjin një ndër ekspertët e njohur shqiptarë të politikës ndërkombëtare.

I përfshirë gjerësisht qysh në fillim në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, autori ka ndjerë dhe është ndeshur nga afër me problematikat komplekse, me të cilat është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet. Odisenë e negociatave, që është njëkohësisht një kalvar i mundimshëm përpjekjesh, e ka ndjekur jo vetëm me “ftohtësinë” e diplomatit, por dhe me shqetësimin e natyrshëm si shqiptar, si pjesë e europianëve të mirëfilltë, që dallgët e historisë, paradoksalisht i lanë në mënyrë të padrejtë jashtë dyerve të Europës.

Libri “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” i kushtohet dhe idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie. Përmbysja e komunizmit në vitet ’90 të shekullit të kaluar krijoi kushte që ajo të rimerrej në rrethana të tjera, tërësisht të ndryshme nga më parë.

Shqipëria, tashmë shtet i pavarur dhe i çliruar nga vargojtë politikë dhe ideologjikë të sistemit komunist, kërkoi zyrtarisht bashkimin me Europën, e cila gjithashtu tregoi interes për ta përfshirë atë në gjirin e vet. Por, ritmet e ecjes ishin tepër të ngadalta për një varg rrethanash. Në fillim ishte Shqipëria dhe zhvillimet e saj të brendshme problematike, lufta për pushtet e klaneve të ndryshme politike, lulëzimi i kriminalitetit, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme etj, të cilat ngadalësuan shumë procesin e futjes së vendit në binarët e një demokracie të mirëfilltë. Kjo “e trëmbi” në njëfarë kuptimi edhe Europën, tek e cila, sikur u fashit entusiazmi i çasteve të para për ta konsideruar Shqipërinë pjesë institucionale të saj. Në vijim erdhën problemet që lindën brenda përbrenda vetë Europës, krizat ekonomike, politike, mjedisore, rivalitetet etj, të cilat bënë që të spostohej vëmendja e strukturave vendimmarrëse të Brukselit nga Shqipëria.

Faktor tjetër pengues ishte vendosja e kushteve jo racionale “sine qua non” nga ana e ndonjë prej shteteve anëtare të BE’ së, fqinj i Shqipërisë me synime tradicionale, sistematike ekspansioniste ndaj saj. Me miratimin e shprehur ose të heshtur të Brukselit, ato janë përpjekur që, nëpërmjet vendosjes së “kushteve të panegociueshme”, siç iu pëlqen t’i cilësojnë, të arrijnë qëllimet e veta në dëm të integritetit territorial të vendeve kandidate. Le të qëndrojmë te shembulli më i fundit, më i freskët dhe më domethënës, ai i marrjes peng të Shkupit dhe Tiranës nga ana e Bullgarisë, në qershorin e vitit 2022, vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar rastin për t’i imponuar Maqedonisë së Veriut kushte që ajo i konsideron të papranueshme sepse cenojnë sovranitetin e saj kombëtar.

BE nëse realisht kërkon të mbetet një bashkim shtetesh model që respekton parimet dhe normat ndërkombëtare duhet të heqë dorë sa më parë nga parimi i vetos për pranimin e shteteve të tjerë, çka u kërkua zyrtarisht nga ministrat e jashtëm të shtatë prej shteteve anëtare në mars 2024. Kjo lloj “vetoje” iu jep dorë shteteve me reminishenca të papranueshme që të nxjerin dufet e së kaluarës ndaj kundërshtarëve dhe të marrin prej tyre përfitime politike, territoriale, ekonomike, sociale, kulturore, fetare etj. Ato, në fund të fundit, mbjellin farën e konfliktit, e cila një ditë do të mbijë dhe do të krijojë sërish situata si këto që pretendohet të zgjidhen me imponimin e kushteve që burojnë nga politika ose platforma ekspansioniste. Disa fqinjë dhe disa protektorë të tyre në Bruksel nuk duhet t’i vlerësojnë dhe gjykojnë shqiptarët dhe përpjekjet e tyre vetëm nëse ata janë të gatshëm të pranojnë dhe të zbatojnë kushtet e papranueshme të vendosura prej tyre. Kërkesat për plotësimin e atyre që ndonjëherë reklamohen si standarde dhe kritere të Brukselit, shqiptarët i plotësojnë kur realisht përkojnë me interesat e tyre, kur nuk cënojnë tërësinë territoriale, sovranitetin shtetëror, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Ndonjë prej fqinjëve, me qëndrimet ndaj Shqipërisë, dëshmon se e duan ose jashtë Europës, me qëllim që t’i kenë duart e lira të bëjnë ç’të duan për realizimin e qëllimeve të tyre ose duan një Shqipëri të zvogëluar, të cilës t’i kenë marrë toka, detin, lumenj, pasuri, shkollën, kishën, sovranitetin shtetëror dhe gjithëçka identifikuese si komb, si popull dhe si shtet. Nga veprimet e ndërmara dhe qëndrimet e shprehura duket sikur kërkohet të lejohet të “hyjë” në BE, pikërisht kjo Shqipëri e bindur, e nënshtruar, e copëtuar, e raskapitur, e poshtëruar, me gojën mbyllur. Por, e krasitur nga territoret e saj etnike, e reduktuar në një krijesë të shëmtuar rakitike, ajo nuk i duhet askujt, as BE, as Ballkanit madje as vetë shqiptarëve. Më mirë të rrijë siç është, sepse përvoja e shkuar dëshmon që deri më sot, disa nga fqinjët dhe Koncerti Europian i dikurshëm i Vjenës, 1814-1815, me institucionet që krijoi, i kanë marë më shumë se gjysmën e territoreve dhe popullsisë.

Sot, në epokën e zhvillimeve moderne, qytetëruese dhe emancipuese, kur zhvillimet dominohen nga strategji integruese e globalizuese, Europa duhet të rreshtohet në krah të shqiptarëve dhe t’iu japë atyre shansin për t’u bërë pjesë e saj edhe në kuptimin institucional, që të ndjehen të sigurt e të garantuar për të dhënë ndihmesën e tyre modeste, për përparimin e mëtejshëm të politikave europiane dhe të vetë BE. Shqipëria vetë ka provuar gjithmonë se është e çliruar nga hipotekat nacionaliste përkundrejt fqinjëve. Ajo ka deklaruar se njeh realitetet e tanishme gjeopolitike në Ballkan, njeh kufijtë ekzistues edhe pse të padrejtë ndaj saj. Prandaj ajo nuk shkon në Bruksel e ngarkuar me projekte aneksioniste, por me dëshirë për bashkëpunim.

Objekti i këtij libri disi të veçantë, i vendosur në një sfond të përgjithshëm pozitiv dhe inkurajues i përkushtohet pikërisht dëshirës së flaktë të shqiptarëve për të qënë pjesë e Europës, për të cilën kanë kontribuar jo pak si në të shkuarën ashtu dhe në ditët e sotme.

“Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ai vjen gjithashtu si projekt pothuajse i realizuar i një specialisti kompetent në këtë fushë, i cili, veç të tjerash ka qenë për 15 vjet Këshilltar i Lartë diplomatik në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel, Ambasadës sonë në Belgjikë dhe në Berlin. Për të, veprimtaria si diplomat i akredituar pranë BE-së, kësaj organizate “sui generis” dhe “ngrehinë” gjigande institucionale, juridiko-ndërkombëtare, ishte një kualifikim i jashtëzakonshëm profesional.

Aty gjenden të trajtuara në masën e duhur, për të mos thënë, të gjitha çështjet të cilat përfaqësojnë fizionominë, rolin, veprimtarinë dhe sfidat e sotme të BE-së, që mund të kenë ndikim mbi Shqipërinë si vend aspirant dhe nesër si shtet anëtar i BE-së. Ato janë trajtuar nga dikush qe i sheh në veprim, jo vetëm nga jashtë, por dhe nga brenda strukturave të komplikuara burokratike të BE-së. I ndodhur në Bruksel edhe mbas përfundimit të shërbimit diplomatik për arësye moshe, me mundësitë, lehtësitë e qasjes në burimet dokumentare, bibliografike, eventualisht edhe arkivore, si dhe me lidhjet me ish kolegë që vazhdojnë të punojnë në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera të BE-së, Jorgji njeh dhe mëson më mirë se kushdo tjetër, se ç’ndodh, pse, ku dhe kur ndodh, autorët që përgatisin skenaret, aktorët që i interpretojnë, pasojat që vijnë, të dukshme e të padukshme, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, ndikimet me të cilat shoqërohen dhe të tjera. Aty ndjen nga afër frymën dhe prirjet e zhvillimeve të pritshme.

Autori ka ndjekur me një vigjilencë të jashtëzakonshme çdo hap të ndërmarrë dhe rezultatin pozitiv a negativ me të cilin ai është shoqëruar.

Dallohen përjetimet e tij emocionale për oshilacionet e trajtimit të kërkesës shqiptare. Shpjegimi është i kuptueshëm. Ai është dhe mbetet shqiptar i përgjegjshëm që shqetësohet për fatet e vendit të vet. Gëzohet për çdo arritje dhe shqetësohet për çdo problem edhe pse, prej shumë vjetësh, jeton në zemër të Europës, në Bruksel, aty ku formalizohen vendimet për statusin e Shqipërisë, në raport me BE. Tregon interes sepse ato kanë ndikime të fuqishme në zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe në prestigjin e saj ndërkombëtar.

Libri i cili gjindet në libraritë kryesore është shkruar mjaft bukur, me gjuhë të pasur dhe stil tërheqës, me tituj dhe nëntituj veçanërisht intrigues e domethënës. Ai përbën një tjetër arritje të çmuar të autorit në veprimtarinë e tij krijuese, përçka meriton urime dhe përgëzime të shumta.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit