Ne shqiptarët si komb kemi vuajtur shumë përgjatë historisë. Të ndarë në 5 shtete, secili me hallet dhe problemet e veta. Shqipëria e mbyllur hermetikisht për 40 vjet dhe nën diktatin e rreptë të një njeriu monstër, Kosova e sfilitur nga represioni i vazhdueshëm jugosllav dhe serb, ne shqiptarët e Maqedonisë po ashtu, por, për dallim nga vëllezërit kosovarë, më të heshtur dhe duke jetuar me frikën në palcë.
Tani në demokraci po vuajmë të njëjtat plagë, por nga përfaqësuesit tanë politikë, të ngjizur në një doktrinë politike, edhe pse duke mbajtur maska sipas rrethanave, me synimin e vetëm nënshtrimin total të popullit, mashtrimin dhe nakautizmin e tij, krejt kjo për interesane meskine dhe të përfitimit personal.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk u shitën si malli në tezgën e pazarit aty për aty, në një moment marrëveshjeje spontane, por dalëngadalë, në heshtje të plotë, pa u vënë re nga masa, me një strategji të mirëmenduar, e cila nuk ndryshon aspak nga projekti famëkeq i Vasa Çubrillovoqit.
Ne u shitëm në emër të patritiozmit, që u privatizua nga profetët e rrejshëm.
Mashtrimi dhe manipulimi ishin mjetet e shitjes, kur dhe ne, të prirë nga euforia dhe nepsi i të skamurit, shitëm vëllanë, mikun, të afërmin për një post, për një shfaqje, për një dukje, për liderin e partinë, që sot janë kthyer në makthin e vazhdueshëm të ardhmërisë sonë kolektive.
Ne shkelëm qenqe mbi vetveten, mbi amanetin e të parëve tanë, mbi vlerat tona kombëtare, ne që thirremi në “besë” dhe jemi besëthyesit më të egër e brutalë. Ne, kur është në pyetje partia, nuk njohim as vëlla e mik, as komb e atdhe. Egoizmi na i ka errësuar sytë, interesi personal na e ka mjegulluar mendjen, jemi bërë për faqe të zezë.
Kemi shkelur çdo vlerë kombëtare e shoqërore, vlera e një njeriu në këtë mendësi kaq të politizuar, matet me votën që sjellim në parti dhe pas saj ngarendim si qeni pas ashtit. Ne nuk kemi bërë asnjë strategji kombëtare, nuk kemi asnjë plan për të dalë nga kjo amulli, fati ynë varet nga liderët e mëdhenj, me vepra të vogla, që konsistojnë vetëm në mbijetesën e tyre politike dhe sa më shumë të kenë pushtet e pasuri.
Populli shqiptar në Maqedonisë e Veriut u shit nga të gjithë ne. Nga inteligjenca në radhë të parë, që vazhdon të heshtë dhe bëhet vegël politike. Nga hoxhallarët, që veprën e djallit luftojnë dhe me djajtë e politikës pakt bëjnë pas taravie. Çështjen kombëtare qenka gjynah ta predikojnë, por glorifikimi i politikanëve qenka sevap. Nga masa, që për një vend pune, të garantuar me kushtetutë, vret e pret në emër të partisë.
Dhe partitë tona janë një, veçse po shfaqen në variacione e ngjyra të ndryshme, si ylberi pas shiut, që të krijojnë një imazh të rrejshëm për diellin që do të vijë, si rezultat i bëmave të tyre dhe jo si proces natyror.
Vdekja jonë po vjen ngadalë, po ikin të gjithë, shpejt nuk do të ketë më kush të na varrosë, e shtëpitë tona, oborret, dita-ditës ferrat po i kaplojnë.
Fajtorë jemi të gjithë, pa përjashtim. Ne ngritëm monstra, jemi Frankenshtajnë modernë në vepër, më kot faljet dhe lutjet, mëkatin as Zoti nuk na e shlyen dot më.