Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në rrjetin e tij social ka postuar pamjet nga vizita në Tiranë e Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Këlliçi takimin e Kallas me kryeministrin Edi Rama e ka cilësuar si një ‘tragjikomedi’. Ai akuzon Ramën se përfaqëson një regjim të bazuar në hajdutëri të organizuar, krejt në kontrast me modelin europian. Gjithashtu thotë se vetë procesi i integrimit është fundi politik i Edi Ramës, ndaj dhe përpiqet ta deformojë.
“Tragjikomedia e radhës u luajt me Shefen e Politikës së Jashtme Kaja Kallas dhe kryeministrin më të pasur të vendit më të varfër të Europës.
Ndërsa kryediplomatja europiane e deklaroi qartë se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE dhe se duhet të kalohet patjetër përmes reformave shtetformuese, shakatori në krye të qeverisë u përpoq të shiste gënjeshtrën e marrjes së pasaportës europiane “me mik”.
Kjo kontradiktë është e pritshme. Ndërsa Europa po përballet me sfida të mëdha dhe po forcon institucionet e veta, regjimi i Ramës i bazuar në hajdutërinë e organizuar është në kontrast të plotë me modelin europian shtetformues.
Vetë procesi i integrimit europian është fundi i tij politik.
Ai e di shumë mirë këtë.
Por edhe qytetarët shqiptarë e dinë se me Ramën nuk ka Europë. Ka korrupsion, shpopullim dhe keqqeverisje.”, shkruan Këlliçi.