Kandidati për deputet në Partinë Demokratike në Tiranë, Belind Këlliçi në rrjetin e tij social akuzon Partinë Socialiste se e ka shndërruar blerjen dhe manipulimin e votës në institucion.
Këlliçi shprehet se sipas tij Edi Rama është arkitekti i rrënimit të nivelit të diskutimit demokratik në vend. Ai thotë se Rama përdor gjuhë bullizuese dhe fyese. Gjithashtu shprehet se Partia Demokratike i drejtohet Insitucioneve, SPAK që të reagojë ndaj shkeljeve të rënda ligjore që prishin garën elektorale.
“Sot kreu i grupit të strukturuar rilindas paska sulmuar Partinë Demokratike, duke e portretizuar atë si blerëse të votave dhe problem për demokracinë.
Është karakteristikë e autokratëve ta gjejnë problemin tek opozita dhe të përpiqen ta zhbëjnë atë. Kjo shkon në linjë edhe me thirrjen e tij kriminale antidemokratike ndaj elektoratit për ta intimiduar të votojë.
Edi Rama është arkitekti i rrënimit të nivelit të diskutimit demokratik në vend.
Thirrjeve të kryetarit të PD-së Sali Berisha për debat ai iu përgjigjet me tallavanë e zhabave, bufave dhe zhapikëve. Rama ka ndërtuar një Big Brother të madh politik, ku procedura ligjore e parlamentare është shndërruar në një spektakël fyes, me zarfa të zinj për bashkëpunëtorët e ngushtë dhe survejim patronazhist total të qytetarëve.
Gjuha e tij bullizuese, fyese, në kufijtë e çmendurisë, është tashmë proverbiale, duke tejkaluar madje dhe kufijtë e Shqipërisë.
Së fundmi, Partia Demokratike i drejtohet institucioneve, posaçërisht SPAK-ut, të reagojë ndaj shkeljeve të rënda ligjore që prishin garën elektorale.
Të tilla janë të faktuara, qoftë edhe në faqen time në Facebook.
Partia Socialiste e ka shndërruar blerjen dhe manipulimin e votës në institucion, me bashkëpunimin e biznesmenëve parazitë dhe bandave kriminale në Elbasan, në Durrës, në të gjithë Shqipërinë”, shkruan Këlliçi.