Zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat ka denoncuar situatën e ujit të pijshëm në zonën e Komunës së Parisit dhe në Selitë. Xhixho shprehet se qytetarët për javë të tëra janë tmerruar me ujn me ngjyrë dhe me erë.
Ajo thotë se qeveria nuk iu përgjigjet banorëve por administrata është vënë në fushatë.
Sipas saj qeveria po i mashtron sërish dhe këtë herë me pasaportën europiane. Xhixho nënvizon se qytetarët në Tiranë paguajnë për ujin e pijshëm dhe përsëri janë të deyturuar që të blejnë në markete.
“Qytetarët e Tiranës e paguajnë ujin 50% më shtrenjtë që prej vitit 2018. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për furnizim 24 orë, por faturës së kripur të ujit i shtohet edhe ajo e blerjes së ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së besimit te rrjeti i shpërndarjes. Për të mos folur për sezonin e verës, ku lagje të tëra, jo vetëm në periferi, por edhe në qendër, mbeten pa ujë me ditë me radhë. Faturat e ujit janë shumëfishuar për të justifikuar vjedhjen galopante të Bashkisë, por shërbimi nuk është përmirësuar asnjëherë. Paratë kanë shkuar në aferat korruptive si inceneratorët apo kompania 5D, dhe nuk janë kthyer kurrë në investime për përmirësimin e rrjetit.
Të gjithë e mbajmë mend premtimin-mashtrim të fushatës së vitit 2015, për 24 orë furnizim me ujë dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve që e shëmtonin Tiranën. Ky premtim është përsëritur në çdo fushatë dhe ja ku jemi sot, me ujë kanalesh që rrjedh nga rubinetat ose pa ujë fare.”, shprehet Xhixho.