Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë KQZ lidhur me problematikat e konstatuara me votën e diasporës, sidomos në Greqi duke renditur problematikat që janë shënuar deri më datë 6 maj. Demokratët kërkojnë që të bëhet një audit, duke argumentuar se rrezikohet integriteti i këtij procesi zgjedhor.
PD thotë se shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi, ku jeton pjesa më e madhe e emigrantëve, por probleme serioze janë verifikuar edhe në Itali, Gjermani, SHBA, Britani dhe vende të tjera të BE. Në shkresë, përmenden shkelje që sipas PD variojnë nga mungesa e transparencës proceduriale, te presioni politik, shpërndarja jo zyrtare e fletëve të votimit, cënimi i fshehtësisë së votës etj.