Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka kritikuar administratën Trump dhe politikat e mundshme të lëshimit të territoreve ndaj Rusisë, duke e cilësuar këtë si një “qetësim të ditëve të sotme”. Në një intervistë ekskluzive për BBC, Biden theksoi se Presidenti rus, Vladimir Putin, beson se Ukraina është pjesë e Rusisë, dhe paralajmëroi se çdo mendim për të lëshuar teritor në një marrëveshje paqeje do të ishte një gabim fatal. “Kushdo që mendon se do të ndalet nëse ndonjë territor jepet si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, është thjesht budalla”, tha Biden.
Në këtë intervistë, Biden shpjegoi gjithashtu shqetësimet e tij për prishjen e marrëdhënieve SHBA-Evropë nën administratën Trump, duke theksuar se ky kurs mund të kishte “ndryshuar historinë moderne të botës”. Ish-presidenti i SHBA-së ndau mendimet e tij edhe për sfidat personale dhe politike që ai ka përjetuar, përfshirë vendimin e tij për të mbyllur kandidaturën për rizgjedhje në vitin 2024, duke i quajtur këto vendime si të vështira, por të duhura në atë moment.
Ndërsa Biden u pyet për politikat e jashtme të administratës Trump, ai kritikoi idetë ekstreme të tij, si kërkesa për rikthimin e Kanalit të Panamasë dhe përvetësimin e Groenlandës, duke thënë: “Çfarë dreqin po ndodh këtu? Cili president flet ndonjëherë kështu? Ne nuk jemi kështu. Ne jemi për lirinë, demokracinë, mundësitë, jo për konfiskimin.”
Në lidhje me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Biden theksoi: “Ne u dhamë atyre gjithçka që u nevojitej për të siguruar pavarësinë e tyre dhe ishim të përgatitur të përgjigjeshim, më agresivisht, nëse Putini do të ndërmerrte përsëri veprime.”