Procesi i numërimit të votave preferenciale në Fier ka përfunduar dhe më i votuari është Ceno Klosi që ka marë mbi 16 mijë vota.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste, Belinda Balluku ka shprehur se është kënaqësi që janë mbështetur kandidatët. Balluku tha se kjo listë ishte gjithpërfshirëse.
“Ka qenë në proces numërimi i votave individuale që ka mbaruar me sukses, pa asnjë konflikt. Dua të falënderoj të gjithë komisionerët dhe padyshim edhe anëtarët e KZAZ 60 që e kanë pasur punën pak më të vështirë për shkak të shumë kutive që ka duke qenë se përfaqëson qytetin e Fierit.Votat individuale në një bashki me kaq votues është normale që të ketë edhe vota individuale që po konkurrojnë në rang vendi, pasi kam parë që ata që kanë dalë këtu janë rreshtuar në rang vendi. Ceno Klosi është i pari me mbi 16 mijë vota, Klevis Jahaj i dyti me rreth 13 mijë vota. Për mua është kënaqësi sepse shikoj që nuk është mbështetur vetëm subjekti, por edhe zgjedhjet që ne kemi bërë për deputetë. Duhet thënë që kësaj rradhe ne kishim një listë që gjithkush ishte i përfaqësuar”, theksoi Balluku.