Situata në Rripin e Gazës vijon të përshkallëzohet, ndërsa Shërbimi i Mbrojtjes Civile ka raportuar se të paktën 44 persona kanë humbur jetën në bombardimet më të fundit të ushtrisë izraelite ndaj enklavës palestineze. Sipas autoriteteve vendore, shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë, ndërkohë që dhjetëra të plagosur janë transportuar në spitalet e zonës.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, forcat e mbrojtjes civile bënë të ditur se bombardimet janë regjistruar në disa pjesë të ndryshme të Gazës, ku ndërtesat janë shkatërruar dhe strukturat civile janë goditur rëndë.
Nga ana tjetër, qeveria izraelite ka bërë të qartë synimin e saj për të marrë kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ofensiva tokësore është zgjeruar dhe përparimi i ushtrisë është i vazhdueshëm.
“Luftimet janë intensive dhe ne po përparojmë. Do të marrim kontrollin e të gjithë Rripit të Gazës,” u shpreh Netanyahu, duke theksuar vendosmërinë e Izraelit për të çuar përpara operacionet ushtarake në rajon.
Ndërkohë, pas më shumë se dy muajsh, disa kamionë me ndihma humanitare kanë arritur të hyjnë në Gazë, megjithatë organizatat ndërkombëtare shprehen se ndihma është ende larg së qeni e mjaftueshme, për të përballuar nevojat e mëdha humanitare të popullsisë civile.
Situata në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rënduar, si në aspektin humanitar ashtu edhe në atë të sigurisë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe rivendosjen e dialogut.