Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Zvicër, ku është pritur nga Presidentja e Konfederatës Helen Keller-Sutter. Gjatë qëndrimit të saj, Osmani do të marrë pjesë edhe në një sërë aktivitetesh që theksojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përkushtimin ndaj paqes.
Në një deklaratë publike, Osmani shprehu falënderimet për pritjen e ngrohtë dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes dy shteteve:
“Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, Presidente Keller-Sutter. Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë”, tha Osmani.
Gjatë vizitës në Zvicër, Presidentja e Kosovës do të marrë pjesë në një ngjarje të veçantë në Gjenevë kushtuar trashëgimisë politike të Martti Ahtisaarit. Aktiviteti organizohet nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Po ashtu, Osmani do të zhvillojë një takim me pjesëtarë të diasporës shqiptare në Gjenevë.