Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ndaj akuzave që e akuzonin për mungesë vizitash gjatë mandatit të saj si presidente.
Ajo i ka cilësuar këto akuza si “dezinformata” dhe ka publikuar një video në të cilën tregon vizitat që ka zhvilluar gjatë gjithë mandatit, duke theksuar se ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve.
“Përshëndetje. Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen pse po i takoj qytetarët këto ditë, e disa madje dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta. Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e marxhinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në kopshte, në shkolla, në spitale, në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë. Dhe po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve. Këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë. Sikurse dje, ashtu edhe sot, e mbi të gjitha në të ardhmen: bazamenti më i fortë i gjithë angazhimit tim do të mbetet pikërisht lidhja me qytetarët. Sepse Kosova është atdheu ynë i përhershëm. Shihemi në komunën e radhës”, tha Osmani.









