Një trafikant shqiptar droge, në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike Daily Mail, ka zbuluar sekretet që mbajnë të forta bandat shqiptare të trafikut të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe përse autoritetet nuk arrijnë t’i shkatërrojnë plotësisht.
Ai thekson se pavarësisht arrestimeve të shumta, grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të zëvendësojnë njëra-tjetrën shumë shpejt, falë një metode të quajtur “shesim punën”. Kjo praktikë konsiston në shitjen e telefonave të konfiskuar nga policia, ku ruhen kontaktet dhe lidhjet e bandave, që arrijnë vlerën deri në 100,000 paund, duke siguruar vazhdimësinë e rrjetit kriminal pa u zbuluar.
Trafikanti shpjegon se arrestimi i një anëtari nuk nënkupton fundin e një organizate, pasi lidhjet vazhdojnë të funksionojnë edhe në mungesë të personave të arrestuar. Ai gjithashtu është krenar për dominimin që grupet shqiptare kanë fituar në tregun e kokainës në Britani, duke ofruar drogë me cilësi të lartë dhe çmime më të ulëta, që i kanë detyruar rivalët të humbasin klientët.
Nga viti 1995, shqiptarët kanë ndërtuar rrjete të fuqishme trafiku në vende si Italia, Belgjika, Holanda dhe Spanja, ndërsa në vitet e fundit kanë përforcuar praninë e tyre në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur strategjinë “shesim më lirë, shesim më shumë”.
Autoritetet britanike kanë arrestuar me qindra shqiptarë të përfshirë në trafik droge, por sfidat mbeten të mëdha. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka paralajmëruar për rrezikun që përbëjnë këto banda, të cilat shquhen për disiplinën dhe taktikat e ashpra për të eliminuar konkurrencën.
Një problem shtesë për autoritetet është edhe fluksi i parave të paligjshme që kthehen në Shqipëri, ndaj në vitin e kaluar u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me SPAK-un për ndjekjen e këtyre pasurive.
Statistikat tregojnë se numri i shqiptarëve në burgjet britanike është rritur ndjeshëm, duke përbërë tashmë grupin më të madh të të huajve të burgosur, ndërsa trafiku i drogës është aktiv në të gjitha pjesët e vendit, nga qytetet e mëdha tek zonat rurale.
NCA nënvizon se bandat shqiptare po përdorin edhe mënyra të sofistikuara për pastrimin e parave, përfshirë kriptomonedhat dhe investime të jashteligjshme, duke paralajmëruar se këto fonde mund të shfrytëzohen për zgjerimin e aktivitetit kriminal në të ardhmen.