-sidi education-spot_img
33.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Mentor Kikia: Ç’kodimi i mesazhit të Shteteve të Bashkuara!

Kryesoret

“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë” – kaq tha Amerika.

Komentuesit politikë ende nuk e kanë “deshifruar” kodin e këtij mesazhi. Komentuesit qytetarë, në faqen e ambasadës së SHBA në Tiranë, janë thuajse të gjithë kritikë. Ata prisnin që Amerika ti shpallte të pavlefshme zgjedhjet dhe të mos e njihte qeverinë e dalë prej tyre.

Ndërsa aktivistët politikë kanë një tjetër qasje. Ata të opozitës thonë: Amerika ka uruar popullin, jo qeverinë, jo Ramën, jo PS-në. Pra nuk e njeh këtë qeveri. Por nga ana tjetër, mbështetësit e qeverisë thonë se gjithësesi ky është një urim. Ndërkohë që nuk përmendet fare pretendimi i opozitës për vjedhje e manipulim. Si përfundim, asnjëra palë nuk ka arsye të gëzohet nga ky mesazh.

Si u uroka populli? – pyesin shumë njerëz.

Po mirë, për një moment ta lëmë “politikën e madhe”, se nuk ia dalim dot. Po sikur të mendojmë se mesazhi i drejtohet pikërisht popullit: “Urime për zgjedhjet. Nëse keni bërë zgjedhjen e duhur, hallall e paçi. Nëse keni bërë zgjedhjen e gabuar, hak e paçi atë që keni zgjedhur”.

A nuk është ky një arsyetim?

Por Rama i vodhi votat, i bleu, i shantazhoi votuesit, vijon debati…

Po e pranojmë!

Por, nëse dikush apo disa e kanë shitur votën, tani të ngrohen në diell e të presin zgjedhjet e tjera. Hak e kanë qeverinë që kanë.

Nëse dikush apo disa, kanë votuar thjeshtë për të ruajtur vendin e punës, të rrinë e të mbajnë pagën dhe të mos ankohen.

Nëse ata që protestonin e vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë, në 11 maj votuan sërish qeverinë, ky nuk është faji i qeverisë.

Nëse diku, ka votuar i tërë fisi për qeverinë sepse ia kërkoi kushuriri që punon në shtet, ta mbajnë se e kanë sërish hak.

Nëse ata në Greqi, kanë votuar masivisht qëverinë sepse ua kërkoi këtë nder kushuriri në Shqipëri, që ia dha emrat dhe numrat e telefonit patronazhistit, të vazhdojnë të mbledhin duhan e pjeshkë nëpër ferma dhe të mos harrojnë, të sjellin para për prindërit këtu, se pensioni 5 ditë u zgjat, për bukë dhe kafe.

A ka patur efekt makineria shtetërore dhe krimi në disa zona ku disa deputetë që “shkëlqyen” me vota? Po, jam i bindur. Por rezultati nuk justifikohet dot me këto. PD të ulet e të nisë remontin politik. Nëse nuk do, të rrijë se ka alternativa të tjera.

Demokracia jonë ka probleme, por nuk do të vijë të na i zgjidhë askush nga jashtë, dhe s’kemi pse shajmë Makronin e Melonin që uruan Ramën pa mbaruar ende zgjedhjet. Në Francë e në Itali, nuk i plas askujt se kush e uron e kush nuk e uron kryeminstrin apo presidentin.

Në 1991, kur shqiptarët u çliruan nga skllavëria komuniste dhe iu dha mundësia të zgjidhnin për herë të parë lirisht, votuan sërish skllavopronarin, Ramiz Alinë dhe partinë e tij mbushur me kriminelë(rast unik ne botë). Atëherë SHBA ndërhynë dhe e mbështetën PD-në në opozitë në përmbysjen gati me dhunë të qeverisë së fundit komuniste.

Më vonë e pamë sërish Amerikën, të “përvishte mëngët” e të nomëronte votat në Tiranë, për të mbështetur zgjedhjen e Lulzim Bashës kryebashkiak. E kemi parë të marrë edhe rolin e kujdestarit, duke i  zënë prej veshi politikanët tanë që të arrijnë marrëveshje.

Çfarë presim sot, që sekretari Marco Rubio të caktojë një vartës që të vijë të rinumërojë votat në kutitë e kontestuara nga opozita?

Kujtoni, politika e jashtme amerikane ka pak kohë që quhet “America First”.

Të mësuar me babysitter politik, ne presim të na çertifikojnë të tjerët edhe zgjedhjet për kryeplak.

Ndaj, përtej çdo leximi që mund ti bëjmë, ai mesazh mund te jetë edhe më thjeshtë, një “këpusni qafën dhe zgjidhni vetë problemet tuaja”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit