Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takim me kongresmenen republikane Claudia Tenny.
Claudia Tenny tha se “Donald Trump e dashuron Serbinë dhe së shpejti do ta vizitojë atë, sapo të emërohet ambasadori i ri Amerikan.”
Vuçiç foli edhe për Kosovën ku pretendoi një mbështetje nga Amerika për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Është e rëndësishme mbështetja juaj e vazhdueshme në ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi juaj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtines përmes dialogut, pavarësisht të gjitha dallimeve tona mbi këtë çështje të rëndësishme për Serbinë. Për gati dy dekada, Republika e Serbisë ka luftuar me të gjitha mjetet diplomatike për të ruajtur sovranitetin e saj kombëtar dhe integritetin territorial dhe është plotësisht e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës, me respekt të plotë për parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat ligjërisht të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ju falënderojmë veçanërisht për mirëkuptimin e nevojës për të respektuar të drejtat e serbëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare në Kosovë, si dhe për kritikën e guximshme të veprimeve të njëanshme të Prishtinës kur këto të drejta u shkelën në mënyrë të paligjshme”, tha Vuçiç.