Kreu në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, priti sot disa anëtarë të stafit të Kongresit amerikan, pjesë e programit “2025 Balkan Forward Fellows”. Në takim, Kurti falënderoi delegacionin për interesimin dhe angazhimin e tyre ndaj rajonit të Ballkanit.
Gjatë bisedës, Kryeministri diskutoi lidhjet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas tij janë forcuar ndër vite përmes mbështetjes dypartiake. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e dialogut me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar nevojën për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj në Ohër.
Në fokus të takimit ishin edhe rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, reformat e nevojshme dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.








