Raporti vjetor i Drejtorisë Antimafia të Italisë (DIA) për vitin 2024 ngre shqetësime serioze për rolin e grupeve kriminale shqiptare në territorin italian. Në dokumentin zyrtar, kriminaliteti shqiptar përshkruhet si një nga format më të strukturuara të krimit të organizuar të huaj në vend, me ndikim të fortë në sigurinë dhe ekonominë italiane.
“Kriminaliteti shqiptar përfaqëson një nga format më komplekse dhe të strukturuara të kriminalitetit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në mënyrë të gjerë në të gjithë territorin kombëtar, operojnë me qasje të ndryshme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë multietnike, të përqendruara kryesisht në krime kundër pasurisë. Të tjerë, ndërkohë, kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me mënyra operimi që në disa raste i afrohen atyre mafioze.
Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, e cila përdoret si për zgjidhjen e konflikteve të brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet frikësimi dhe kontrolli. Një veçori e tyre është sistemi i anëtarësimeve, që shpesh bazohen në lidhje familjare ose në lidhje mes individëve me origjinë nga i njëjti qytet apo rajon i Shqipërisë. Këto lidhje përforcohen nga kode të caktuara sjelljeje, që konsolidojnë strukturën e brendshme të grupeve.
Trafiku i narkotikëve mbetet sektori kryesor i aktivitetit dhe të ardhurat që burojnë prej tij po investohen gjithnjë e më shpesh në blerjen e bizneseve legale dhe pasurive të paluajtshme. Provat hetimore, gjithashtu, konfirmojnë se grupet shqiptare janë të përfshira edhe në veprimtari të tjera të paligjshme, si trafiku i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi i prostitucionit dhe kryerja e krimeve fiskale.
Një hetim i fundit i Policisë së Shtetit, i përfunduar më 7 dhjetor me arrestimin e dy shtetasve me origjinë shqiptare, ka treguar gjithashtu se kriminaliteti shqiptar është shumë aktiv edhe në sektorë të avancuar si tregtia online. Në trafikun e drogës, këto grupe etnike bashkëpunojnë ndonjëherë me organizata të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre tashmë të konsoliduar në nivel ndërkombëtar. Ato janë të afta të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të drogës dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me kartelët e Amerikës Latine për importimin e sasisë së konsiderueshme të kokainës të destinuar për furnizimin e celulave shqiptare që veprojnë në tregjet kryesore italiane.
E ashtuquajtura “rrugë adriatike” është një nyje kyçe për kalimin e narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe pjesës tjetër të Europës, e lehtësuar gjithashtu nga lidhjet ajrore me vendet ballkanike që kufizohen me Adriatikun. Këto marrëdhënie lehtësohen edhe nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët merren kryesisht me furnizimin me drogë, ndërsa shpërndarjen e lënë në dorë të grupeve kriminale italiane. Kokaina importohet në territorin italian nëpërmjet detit dhe tokës, përgjatë rrugëve kryesore të shpërndarjes europiane, duke u mbështetur te bashkëpunëtorët e tyre në Europën Veriore, përmes të cilëve kanë arritur të depërtojnë në portet kryesore tregtare (Antwerp, Rotterdam dhe Hamburg).”
/5pyetjet.al