Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është larguar përpara kohe nga samiti i G7 që po mbahet në Kanada. Sipas ekipit të tij, ai është nisur drejt Uashingtonit për t’u përqendruar në situatën e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.
Presidenti francez, Emannuel Macron tha se Trump kishte bërë një ofertë për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.
“Është bërë një ofertë, veçanërisht për të pasur një armëpushim dhe për të filluar diskutime më të gjera”, u tha Macron gazetarëve në samitin e G7 në Kananaskis të Kanadasë.
Trump ka kritikuar ashpër Macron duke thënë se homologu i tij gabimisht sugjeroi se ai po kthehej në Uashington për të punuar për një “armëpushim”.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit”, shkroi Trump në Truth Social. “Gabim!”
“Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim”, vazhdoi ai. “Shumë më të madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanueli gjithmonë gabon. Qëndroni në kontakt!”