Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se Rusia nuk ka mundësi të fitojë kundër NATO-s, por theksoi se aleanca duhet të mbetet e bashkuar për të frenuar kërcënimet ruse. Në një fjalim para Parlamentit Evropian, Kallas theksoi se vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk mjafton për të ndaluar agresionin rus, duke shtuar se forcimi i unitetit të NATO-s është prioriteti më i madh.
Kallas paralajmëroi se Rusia ka investuar më shumë në mbrojtje se të gjitha shtetet e BE-së së bashku dhe ka një plan afatgjatë për përdorimin e forcës ushtarake. Po ashtu, ajo nënvizoi se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e 800 miliardë eurove për të forcuar mbrojtjen e shteteve anëtare dhe për të rritur prodhimin e industrisë së mbrojtjes në Evropë.