Hakan Calhanoglu ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Interi dhe për t’u transferuar te Galatasaray. Mediat turke raportojnë se mesfushori turk ka zhvilluar një bisedë me drejtuesit e klubit italian, ku ka kërkuar të lejohet të rikthehet në vendlindje pas katër viteve të suksesshme në Milano.
Galatasaray ka treguar interes të vazhdueshëm për Calhanoglu, por nuk është e gatshme të përmbushë kërkesën financiare të Interit, që kërkon rreth 35 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Nga ana tjetër, zyrtarët zikaltër ende nuk kanë konfirmuar një kërkesë zyrtare për largim dhe e konsiderojnë Calhanoglu pjesë të skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, lojtari ndodhet në Turqi për shkak të një dëmtimi, që e ka detyruar të largohet përkohësisht nga grumbullimi i Interit në Shtetet e Bashkuara.