Me vetëm pesë javë të mbetura deri në përfundimin e sezonit të rregullt në Kategorinë Superiore, gara për objektivat kryesore mbetet e hapur.
Vllaznia ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four”, ndërkohë që disa ekipe të tjera po luftojnë për të siguruar një vend në fazën finale.
Drejtori i Garave në FSHF, Marius Sulejmani foli për fshf.org për situatën e kampionatit si dhe për datat e fazës finale që do të mbahet në Air Albania Stadium
‘Kanë mbetur edhe 5 javë deri në përfundimin e 36-të javëve të kampionatit. Vllaznia është ekipi i parë që ka siguruar “Final Four”. Gara është shumë e fortë, pasi janë edhe 5 ekipe që konkurrojnë për të zënë 3 vende për në “Final Four”. Kampionati nuk është vetëm për “Final Four”, pasi edhe në fundin e tabelës ka një garë sportive shumë të fortë. Vendi i 9-të dhe i 10-të bien direkt nga kategoria, ndërsa skuadra që renditet në vendin e tetë do të luajë një ndeshje play-off me një nga skuadrat që renditet nga vendi i tretë te i gjashti në Kategorinë e Parë.’
–tha Sulejmani që zgjeroi më tej temën për Final Four
‘Ky është viti i tretë i “Final Four”. Ndryshe nga dy sezonet e mëparshme, këtë vit kemi një ndryshim të rregullit, ku pas 36 javëve, 4 ekipet e renditura të para do të marrin pjesë në “Final Four” me pikët e përgjysmuara, duke marrë edhe vlerën më të vogël. Datat janë të përcaktuara. Ndeshja e parë do të luhet më 16 maj sfida mes vendit të parë dhe vendit të katërt, një ditë më vonë vendi i dytë dhe vendi i tretë. Po ashtu, edhe katër ndeshjet e tjera do të zhvillohen në datat 23-24 dhe 29 e 31 maj. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Air Albania’-shtoi Sulejmani
Në fund Drejtori i Garave në FSHF foli për shpërblimet financiare të destinuara për klubet e Kategorisë Superiore dhe për mënyrën e shpërndarjes së tyre
‘Katër ekipet e para pas përfundimit të 36-të javëve do të përfitojnë shpërblime financiare. Vendi i parë do të përfitojë 10 milionë lekë të rinj, vendi i dytë 7 milionë lekë të rinj, vendi i tretë 5 milionë lekë të rinj dhe vendi i katërt 2 milionë lekë të rinj. Gjithashtu, fituesi i kampionatit pra i “Final Four” do të përfitojë 10 milionë lekë të rinj. Pas përfundimit të “Final Four”, të 10 ekipet do të marrin përsëri të ardhura, që do të vijnë nga biletat, sponsorët dhe reklamat, të cilat do të shpërndahen nga vendi i pestë deri në vendin e dhjetë sipas renditjes, si dhe një përqindje më e madhe për ekipet që do të luajnë në “Final Four”-përfundoi Marius Sulejmani









