Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një bisedë telefonike me Donald Trump. Pas bisedës Zelensky tha se biseduan rreth nevojës për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës mes përshkallëzimit të sulmeve ruse në qytetet ukrainase.
Zelensky në Telegram tha se presidenti amerikan ishte “shumë mirë i informuar” për situatën në Ukrainë, pasi dyshja diskutoi “mundësitë e mbrojtjes ajrore dhe ranë dakord që do të punojmë për rritjen e mbrojtjes në qiell”.
Ai shtoi se biseduan gjithashtu për mundësitë për prodhim të përbashkët të armëve, duke thënë “jemi gati për projekte të drejtpërdrejta me Amerikën”, si dhe për blerje dhe investime të tjera të përbashkëta.
Gjithashtu përcolli urimet e tij më të mira për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, duke falënderuar për mbështetjen e deritanishme.
“Ne kemi bërë shumë së bashku me Amerikën dhe mbështesim të gjitha përpjekjet për të ndaluar vrasjet dhe për të rivendosur një paqe normale, të qëndrueshme dhe dinjitoze. Një marrëveshje e mirë është e nevojshme për paqen dhe Ukraina mbështet propozimet amerikane”, tha ai.