Në KAS u zhvilluan debate gjatë diskutimeve, pasi kandidati demokrat, Aulon Kalaja kërkoi rinumërimin e të gjitha kutive në qarkun e Durrësit.
Kalaja u tha anëtarëve të KAS, se bënë gabim që nuk i hapën të gjitha kutitë në Durrës. Ai kërkoi nga KAS një vendim për legjitimimin e tij si ankimues, pasi do të ndjekë edhe rrugën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.
“Ju i mbyllët kutitë. Unë do ndjek edhe rrugën në Gjykatën Kushtetuese. Ju morët vendim për t’i mbyllur kutitë, duhet të zbatoni ligjin, për atë jeni aty. Rinumërimi tregoi edhe nëpërmjet videove se pati tjetërsim vote. Ka video të tjera të kutive që nuk janë vendos për t’u hapur. Në mbledhjen e fundit më thatë këtu se po të gjendeshin shkelje, do rihapeshin edhe të tjerat”, tha Kalaja.
Ndërsa anëtari Ledio Braho tha se rinumërimi tregoi se nuk ka ndryshime të mandateve në Durrës.
Kalaja e kundërshtoi atë duke thënë se me ato që u zbuluan nga rinumërimi në Fier, mund të ndodhte që të kishte kuti në Durrës me diferenca dhe trafikim deri në 40 vota për kuti dhe që mund të shkonin në total edhe mbi 500 vota të devijuara.









