Pas 10 muajsh në burg për akuzën e kallëzimit të rremë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, dha sot një deklaratë nga selia blu, ku komentoi situatën politike në vend dhe sfidat e opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit.
Salianji e cilësoi dënimin e tij si një “kostum politik”, i cili sipas tij, kishte për qëllim ta pengonte të merrte pjesë në zgjedhjet e fundit. Ai u shpreh se koha për pritje ka kaluar dhe se opozita duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të larguar qeverinë aktuale.
“Nuk ka qytetar shqiptar që mendon se në Shqipëri ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD nuk duhet të presë që Edi Rama të reflektojë, por të gjejë zgjidhjen për të larguar regjimin”, tha Salianji.
Sipas tij, zgjedhjet e fundit ishin një farsë dhe opozita duhet të jetë më e vendosur në denoncimin e paligjshmërive dhe përdorimit të bandave për të ndikuar procesin zgjedhor.
“Faza e parë është që PD të mos zhvendosë vëmendjen, por të vazhdojë denoncimin për mungesën e zgjedhjeve të lira. Ne na lind detyra të gjejmë zgjidhje dhe të largojmë regjimin”, përfundoi ai.
Salianji nënvizoi se do të vijojë angazhimin politik dhe se do të komunikojë me qytetarët për të ofruar alternativa të reja, duke kërkuar një frymë të re në opozitë.