Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të dalë sot para Gjykatës së Lartë ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për ndryshim të masës së sigurisë.
Në këtë seancë, që parashikohet të nisë në orën 12:00, do të vendoset nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim apo do të ketë një masë më të lehtë sigurie.
Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është Albana Boksi. Ata do të shqyrtojnë argumentet e mbrojtjes përballë qëndrimit të SPAK, që kërkon vazhdimin e paraburgimit deri në përfundim të hetimeve.
Veliaj po hetohet për dyshime mbi konsumimin e veprës penale të “korrupsionit pasiv” në të paktën nëntë raste, ndërsa së fundmi atij iu shtua edhe akuza për fshehje pasurie.