Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se nga 1 gushti 2025 do të vendosen tarifa prej 35% mbi importet nga Kanadaja drejt SHBA-së.
Në një letër drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney, Trump theksoi se kjo masë do të jetë e veçantë nga tarifat sektoriale ekzistuese dhe paralajmëroi se çdo rritje e tarifave nga ana e Kanadasë do të përballet me tarifën shtesë prej 35%.
Arsyeja e këtij vendimi, sipas Trumpit, është dështimi i Kanadasë për të kontrolluar importin e fentanilit opioid në SHBA, si dhe barrierat tregtare që shkaktojnë deficit në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Ky zhvillim vjen në kuadër të një politike më të ashpër tarifore që Trump ka nisur, duke paralajmëruar rritje tarifash edhe për aleatët e tjerë si Japonia dhe Korea e Jugut, nëse nuk arrihen marrëveshje tregtare të reja.