Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, gjatë një daljeje televizive, ka folur për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe marrëdhëniet e saj me SHBA, duke thënë se pavarësisht polarizimit politik mes Amerikës dhe Europës, të dyja partitë politike amerikane mbështesin Kosovën në këtë proces.
Fjala e Vulajt
Edhe në këtë kohë polarizimi në ShBA dhe në Evropë, Kosova mbetet një fushë në të cilën të dy partitë mund të punojnë së bashku. Arsyeja kryesore është se mbështetja për Kosovën dhe anëtarësimi i saj në NATO janë në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kemi parë mbështetje si për pavarësinë, ashtu edhe për njohjen reciproke, nga të dy partitë. Kjo ka vazhduar në administrata të ndryshme, përfshirë administratën Trump I dhe administratën Biden, dhe vazhdon edhe sot, sepse është një linjë e interesave të ShBA-së.









