Pas incidentit të ndodhur dy ditë më parë në Vlorë, ku një kamerier 18-vjeçar u dhunua në një lokal, ka dalë në dritë versioni i vëllait të policit të përfshirë në këtë ngjarje. Flamur Isufi mohon kategorikisht që vëllai i tij, Ardian Isufi, efektiv i Policisë së Shtetit, të jetë personi që ka goditur adoleshentin, duke dhënë detaje për atë që ka ndodhur.
“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Unë nuk kam qenë prezent por çfarë më ka thënë vëllai: Ai ka qenë pushim. Ka shkuar te lokali për të pirë një kafe. Në tavolinë ka gjetur edhe një person tjetër që e ka ftuar në lokal. Janë ulur për të pirë një kafe dhe një ujë dhe nuk është bërë sherr për ujin, se nuk zihen njerëzit për ujin. Vëllai im i kërkon një bidon ujë të madh dhe një kafe. Të mos futemi në detaje, por ai i sjell dy bidonë dhe me të qeshur i thotë “pijeni dhe këtë”. Nuk kam qenë aty që të ta shpjegoj me detaje. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin në krah të vëllait tim. Vëllai im, për të shmangur konfliktin është ngritur dhe i ka thënë “ik andej, se duhet të sillesh mirë, je i vogël”. Unë nuk kam qenë aty, por kamerat i ka lokali.”
Ai shton se menjëherë pas incidentit, palët janë ulur dhe i kanë kërkuar madje falje babait të adoleshentit:
“Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit të jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër. Kamerieri, në bisedë, në konflikt me zotërinë. Vëllai im u fut. Në këtë moment i thotë “Pse çfarë është ai?”. Janë ulur në tavolinë me babanë e djalit, kanë folur, janë ndarë si miq. Edhe me menaxherin e lokalit nuk kanë pasur ndonjë problem. Se vëllai im, duke qenë 15 vjet oficer policie, e di shumë mirë se si mund t’i shmanget një konflikti.”