Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani i dorëzoi dekretin që i njeh nënshtetësinë këngëtares. Osmani me anë të një postimi në rrjetet sociale e cilëson këtë si një nga momentet më të veçanta për vendin.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.”, shkroi Osmani.
Ajo shtoi se “Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!”









